“Të mbahet mbledhja e Këshillit për mandatin e Olta Xhaçkës”, Grupi i PD-së kërkesë Kuvendit

schedule10:48 - 13 Shtator, 2022

schedule 10:48 - 13 Shtator, 2022

Grupi Parlamentar i PD-së i ka bërë kërkesë Kuvendit për mbledhjen e Këshillit për mandatin e ministres Olta Xhaçka.

Në kërkesën e protokolluar, grupi i PD kërkon thirrjen e mbledhjes ditën e nesërme, 14 shtator, në orën 13:00, me rend dite: “Vijimin e shqyrtimit të mocionit të 1/10 së deputetëve të grupit parlamentar të PD për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka.”

Dokumenti është firmosur nga deputetët Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi, Ervin Salianji, Greta Bardeli dhe Saimir Korreshi.

14 deputetë nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike kanë dorëzuar në Kuvend më 20 qershor 2022,  kërkesën për heqjen e mandatit të ministres Olta Xhaçka.

Disa nga deputetët e PD-së kërkuan ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit për ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Në mocion sqarohej se kompania e krijuar menjëherë pas miratimit të ligjit për investimet strategjike AG. TÇ shpk në pronësi të bashkëshortit të ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka, ka përfituar statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një hoteli disa katësh me 5 yje në një sipërfaqe zhvillimi prej 10,592 m² dhe me vlerë rreth 5,5 milion euro, në Gjilekë, Bashkia Himarë.

Shoqëria në pronësi të bashkëshortit të ministres dhe deputetes znj. Olta Xhaçka ka përfituar masën mbështetëse të lejimit të përdorimit të bregut para hotelit për një periudhë 30 vjeçare, si dhe përfiton nga incentiva e reduktimit të TVSH-së./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!