“Të marrë fund pamundësia e ekstradimeve”, Balla: Po bëjmë përpjekje për të ekstraduar Dritan Rexhepin

schedule13:20 - 4 Janar, 2024

schedule 13:20 - 4 Janar, 2024

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, u pyet nga gazetarët edhe për ekstradimet e elementëve kriminalë nga jashtë vendit. Balla theksoi se pamundësia për të ekstraduar personat në kërkim duhet të marrë fund ndërsa shtoi se po bëhen përpjekje për të ekstraduar Dritan Rexhepin, i cili u arrestua javë më parë në Turqi.

“E kam thënë sa herë kam pasur mundësi që një prej gjërave që më shqetëson, një prej sfidave që shoh përpara është dhënia fund e pandëshkueshmërisë. Historia që mund të kryesh një krim në Shqipëri dhe të fshihesh dikur për të fituar azil dhe pamundësuar ekstradimin duhet të marrë fund. Ka vende që nuk e mundësojnë, nuk kemi marrëveshje. I tillë dhe Maroku. Nuk kemi marrëveshje ekstradimi. Por Shqipëria është anëtare aktive e Interpol, një organizatë me peshë në luftën kundër krimit në botë, dhe dua të ndaj me ju lajmin e mirë që për shkak të këtyre rezultateve, Shqipëria do të mirëpresë drejtuesit më të lartë të policive evropiane nga 22-24 maj në konferencën evropiane të Interpolit.

Sjellja në Shqipëri e personit në fjalë ishte e rëndësishme për të zbuluar jo vetëm një krim të rëndë por një zinxhir krimesh në vitet e fundit dhe po ashtu po bëjmë të gjitha përpjekjet që të sjellim në Shqipëri Dritan Rexhepin dhe persona të tjerë, të cilët janë ndaluar me kërkesë të Interpol Tirana dhe po kryhen procedurat. Kemi raste personash që kanë lënë burgun në ’97 për krime 30 vite më parë. Kemi raste në Korenë e Jugut, persona që janë në kërkim dhe vazhdojnë përpjekjet për t’i sjellë të kryejnë dënimin në Shqipëri. Në këtë aspekt, dua të garantoj se do të vazhdojmë me një punë hetimore shumë të mirëpërgatitur për të identifikuar ku ndodhen dhe si t’i sjellim në Shqipëri. Kemi një listë të gjatë personash në kërkim por bashkëpunimi me SPAK është i shkëlqyer. Po bëjmë një punë të detajuar për t’i shkuar në fund kulturës së pandëshkueshmërisë.”, tha Balla./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!