Të hënën nis zbatimi i emrit Maqedonia e Veriut

schedule10:30 - 31 Janar, 2019

schedule 10:30 - 31 Janar, 2019

Duke filluar nga e hëna e ardhshme, do të nisë zbatimi I emrit Maqedonia e Veriut. Zbatimi do të nisë nga tabelat kufitare, ato të institucioneve dhe organeve të pushtetit qendror dhe lokal

Pas ratifikimit të protokollit për anëtarësim në NATO nga Parlamenti grek, Maqedonia do të fillojë zyrtarisht zbatimin e emrit, “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Zbatimi do të nisë nga tabelat kufitare, ato të institucioneve dhe organeve të pushtetit qendror dhe lokal.

Këto masa rregullojnë zbatimin e emrit të ri Kushtetues, Republika e Maqedonisë së Veriut. Në përputhje me vendimet e Qeverisë, ministritë përkatëse, organet shtetërore dhe institucionet, ndërmarrjet publike dhe shoqatat aksionare në kuadër të shtetit, në përputhje me afatin e parashikuar për fuqizimin e amendamenteve do të detyrohen të bëjnë ndërrimin e tabelave në vendkalimet kufitare, përfaqësitë diplomatike dhe konsulare si dhe në hyrjet e institucioneve. Lajmi u konfirmua për Alsat M nga Mile Boshnjakovski, zëdhënës i qeverisë

Ndryshimet që do të zbatohen do të jenë në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Qeveria do të formojë grupe pune të cilat do ta monitorojnë zbatimin e emrit, Maqedonia e Veriut, në të gjitha institucionet. Organi ekzekutiv akoma nuk ka konstatuar sa do të kushtojnë zbatimi emrit të ri nëpër tabelat e institucioneve brenda dhe jashtë vendit. Ndërkohë vendet anëtare të NATO-s kanë filluar me ratifikimin e protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Bullgaria është vendi i parë që ka miratuar protokollin ndërsa më 8 shkurt pritet që ta ratifikojë edhe parlamenti i Greqisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!