Portali E-albiania ka publikuar të gjitha rregullat që duhet të ndjekin shërbimet taxi që do të nisin punë nga e hëna që vjen, pas lajmërimit të bërë sot nga kryeministri Edi Rama.
Transporti nuk do të lejohet nga një qytet në tjetrin por vetëm brenda qendrës urbane të dy destinacioneve, ndërsa pasagjerët do të kontrollohen nga autoritet për lejen përkatëse për të dalë nga shtëpia.
Shërbimi taxi do të punojë vetëm brenda orarit të lejuar, ndërkohë që të gjithë punonjësit do të testohen për shenja klinike me Covid-19.
Lexo edhe: Rama njofton hapjen e shërbimit taksi javën e ardhshme, si do të ulet pasagjeri
Ata janë të detyruar të tregojnë nëse kanë pasur kontakt me persona të prekur dhe nuk duhet të paraqitet në nvendin e punës nëse shfaq shenja të sëmundjes. Shoferët gjithashtu duhet të jenë të pajisur me doreza por edhe maska në momentin e kontaktit me pasagjerët.
Maskat, higjenizuesi dhe dorezat duhet të ofrohen nga punëdhënësi, ndërsa higjenizuesi duhet të ofrohet edhe për klientët në hyrje dhe dalje nga automjeti.
Pasagjerët do duhet të ulen diagonal me shoferin, ndërsa nuk do të lejohet që në një taxi të udhëtojnë më shumë se dy persona me përjashtim kur i rrituri duhet të shoqërojë një fëmijë apo një person me aftësi të kufizuara.

