“Të gjejmë pikat e dobëta të kundërshtarit”, Hysaj: Nuk kënaqem me pak, dua “bukën e madhe”

schedule14:26 - 10 Qershor, 2024

schedule 14:26 - 10 Qershor, 2024

Kombëtarja shqiptare mbylli me sukses fazën përgatitore në Austri dhe tani kuqezinjtë janë vendosur në Kaiserau në Kamen ku do të qëndrojnë dhe përgatiten në kuadër të finaleve të Evropianit “Gjermani 2024”, më konkretisht për sfidat ndaj Italisë, më 15 qershor, Kroacisë, më 19 qershor dhe Spanjës, më 24 qershor.

Nga kampi bazë në SportCentrum Kaiserau anësori i mbrojtjes së Kombëtares kuqezi, Elseid Hysaj zhvilloi këtë të martë një konferencë për shtyp, nga ku në fundin e saj foli sërish për Kombëtaren e vitit 2016, ku ashtu si nën drejtimin e De Biasi edhe nën drejtimin e teknikut Sylvinho, ndërsa në përfundim të konferencës foli edhe për “pikat e dobëta” të Italisë.

“Kam kaluar shumë momente të bukura në 2016, për pak ishim duke u kualifikuar. Me këtë grup është përsëri si familje. Të gjithë djemtë e rinj janë përshtatur mjaft mirë. Është grup fantastik, jemi në të njëjtin mendim dhe të gjithë të kënaqur. Patëm një pritje mjaft të ngrohtë, tifozët shqiptarë e duan shumë Kombëtaren. Ata do e mbushin stadiumin ndaj Italisë si në Euro 2016. Jemi një skuadër e re, po punojmë mirë. Rëndësi ka të ruajmë qetësinë në fushë, pasi Italia është ekip i rrezikshëm.

Të gjithë skuadrat kanë pika të dobëta. Do përpiqemi të gjejmë dobësi tek Italia, do na ndihmojë edhe trajneri. Italisë i mungon një bomber. Immobile është kampion, prisja të luaja përballë tij, më vjen keq që nuk është, por sezoni i fundit nuk ka qenë shumë pozitiv për të.

Tani jam një Hysaj me më shumë eksperiencë, me shumë gjëra në kokë. Nuk kemi ardhur për të kaluar kohën këtu. Nuk kënaqem me pak bukë, dua bukën e madhe. Të mos kemi pengje në fund Në 2016 isha i ri, isha shumë i kënaqur, tani dua të arrij më shumë. Shpresoj që të gjithë të kemi urinë e duhur. Arritja do të jetë që gjithë Shqipëria të na duartrokasë pas ndeshjeve. Të jemi krenarë, si në humbje dhe në fitore. Të kthehemi në shtëpi me kokën lart”,- përfundoi konferencën për shtyp anësori shkodran. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!