Të falimentuar dhe me borxhe, profili i sulmuesve të Kapitol Hill

schedule15:17 - 12 Shkurt, 2021

schedule 15:17 - 12 Shkurt, 2021

Sipas një studimi të universitetit të Çikagos, 60 për qind e atyre që u arrestuan për trazirat dhe sulmin e 6 janarit, kanë probleme serioze financiare. Ky studim ka krijuar një profil të të arrestuarve që rezultojnë të jenë të dështuar profesionalisht dhe me borxhe të pashlyera

Dështime, probleme fiskale, borxhe të pashlyera: të paktën 60 për qind e protestuesve të Kapitol Hill që u arrestuan , kanë probleme serioze ekonomike. Konfirmimi vjen nga një studim i Projektit për sigurinë dhe kërcënimet i universitetit të Çikagos. Studimi është publikuar nga Uashington Post dhe janë analizuar 125 nga 200 të arrestuar.

Të paktën 18 për qind e tyre kanë një aktivitet të dështuar pas krahëve, ndërsa 25%  ka qenë në gjyq për borxhe të pashlyera. Një në pesë nga këta të analizuar rrezikon të humbasë, apo ka humbur shtëpinë për shkak të mos shlyerjes së kredisë. Pra ajo që bashkon grupin e burrave dhe grave të mbledhur nga e gjithë Amerika, për të mbështetur Trump, më shumë se ideologji janë probleme financiare. Politologua amerikan Don Markel, i specializuar për ekstremizmin politik, u shpreh për Uashington Post se deklaratat e rrema të Trump për mashtrim elektoral, në psikikën e këtyre personazheve bëri që ata të binden se u tradhtuan dhe u grabitën nga sistemi.

Një humbje statusi për faj të shoqërisë, që sipas tyre është më e interesuar për të drejtat e minorancës. Studimi më tej konfirmon se rreth 40 për qind e këtyre protestuesve të dhunshëm i përkasin shtresës së mesme dhe të lartë: pronarë aktivitetesh të vogla, agjentë shitjesh, ushtarakë dhe agjentë policie.

Nëse disa prej problemeve financiare të këtyre personave ishin më të hershëm, shumë prej tyre përjetuan një përkeqësim të situatës financiare për shkak të pandemisë. Një prej tyre i cili kishte ardhur në Uashington nga Kalifornia, vetëm një javë para sulmit kishte falimentuar. Një tjetër kishte humbur shtëpinë para Krishtlindjeve për shkak të mos shlyerjes së kredisë. Ndërsa njëri prej protestuesve i cili thye dhe xhamat e kongresit, kishte 40 mijë dollarë borxhe për shkak të taksave të pap paguara. Edhe Eshli Bebbit, ish veterania e Irakut dhe Afganistan e cila humbi jetën teksa përpiqej të futej nga dritarja në sallën e senatit, i detyrohej bankave 23 mijë dollarë.

Shumë prej të rinjve të ndaluar nga policia në 6 janar vijnë nga familje me probleme të rëndësishme financiare. Revolta e të dështuarve, të paaftë të pranojnë përgjegjësitë e tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!