Të drejtat e njeriut në Turqi, BE presion ndaj Erdogan

schedule18:55 - 18 Maj, 2021

schedule 18:55 - 18 Maj, 2021

Presidenti Erdogan mund të ketë një moment jo të mirë, ose disa të tillë, këtë javë, kur parlamenti europian do të diskutojë për situatën e të drejtave të njeriut në Turqi. Ka shumë mundësi që deputetët të kenë një qëndrim shumë më të ashpër ndaj Turqisë në krahasim me Këshillin dhe Komisionin, që së fundmi janë shprehur të gatshëm për t’u impenjuar sërish me Ankaranë, me kusht që Turqia të kryejë progres në fushën e të drejtave të njeriut.

Por kjo mund të mbetet vetëm në kuadrin e dëshirës. Raportimet e 2020-ës për këtë temë, nga Departamenti amerikan i shtetit dhe Human Rights Uatch, japin një panoramë dëshpëruese të shtetit të së drejtës dhe nivelit të demokracisë në Turqi.

Kontrolli i ekzekutivit mbi sistemin e drejtësisë në Turqi ka bërë që gjykatat të pranojnë në mënyrë sistematike dhe akuza të rreme, të mbajnë dhe të dënojnë individë pa prova bindëse. Nuk është një befasi që këta të fundit të jenë persona të cilët qeveria e Erdogan i konsideron armiq. Mes tyre ka gazetarë, politikanë të opozitës, aktivistë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut. Pavarësisht këtyre të dhënave, presidentët e komisionit dhe të këshillit të Bashkimit europian, vizituan kohët e fundit presidentin Erdogan në Ankara duke mbyllur një sy për hapat prapa në demokraci, sipas kritikëve.

Por Brukseli e mbron këtë udhëtim duke thënë se situata e të drejtave të njeriut ishte një prej temave të diskutuara me Erdoan dhe që delegacioni bëri të qartë se të drejtat e njeriut nuk janë të negociueshme.

Brukseli ushtron ende një ndikim të madh mbi Turqinë meqenëse Bashkimi Europian është partneri kryesor tregtar i Ankarasë. Për këtë arsye është në interesin e Erdoan që të shmangë sanksionet ekonomike të BE-së, por dhe për shkak të presioneve për arsye të brendshme dhe elektorale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!