Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka deklaruar në emisionin ‘Real Story’ në ABC News se për të gjitha gratë dhe vajzat e dhunuar duhet një strukturë mbrojtje dhe trajtim financiar.
Gjatë intervistës me gazetarin Sokol Balla, ai ka thënë se duhet që të nxisim rastet kur të dhunuarat të denoncojnë dhe jo të tërheqin paditë nga frika.
Sakaq, ministri ka theksuar se çdo rast dhune duhet denoncuar dhe ne duhet të koordinojmë të gjitha agjencitë shtetërore në bashkëpunim edhe me shoqërinë civile.
Sokol Balla: Kishim në ABC News një raportin nga Fieri, ku flinim nga një anë shtimi i rasteve të dhunës ndaj grave dhe po ashtu edhe një tërheqje e padive për shkak se janë të frikësuara nga pasojat që ndodhin për shkak të padive, dhe besoj se këtu duhet të ndërhyjë shtetit apo jo?
Taulant Balla: Kjo është e vërtetë, na duhet që ne jo vetëm të nxisim rastet kur vajza e gra të denoncojnë, por edhe duhet të ngremë një strukturë të fortë mbrojtje dhe trajtimi financiar dhe ekonomik të tyre. Ajo që thatë është e vërtetë, në fillim dhuna denoncohet dhe më pas edhe për shkaqe të natyrës familjare apo fisnore që ndërhyjnë tërhiqen dhe bien sërish pre e dhunës. Në fund korriku fillim gushti kemi patur dy raste, ku është dashur të ndërhyjë policia sepse është dhunuar bashkëshortja dhe djali dhe një rast tjetër, ku ish bashkëshortja për shkak të krimit në familje ka humbur jetën. Dhe në rastin e dytë, RENEA u desh të ndërhyjë se personi ishte i armatosur. Ajo që është e rëndë është fakti se një pjesë e caktuar e politikës, reagoi kundër Policisë për të mbrojtur individin që kishte kryer krimin dhe kishte qëlluar kundër policisë. Ndaj është shumë e rëndësishme që shoqëria sa i përket dhunës me bazë gjinorë, dhunës në familje duhet të jetë shumë e bashkuar. Çdo rast dhune duhet denoncuar dhe ne duhet të koordinojmë të gjitha agjencitë shtetërore në bashkëpunim edhe me shoqërinë civile. Per shembull, në rastin e Vlorës, unë e falenderoj një pjesë të shoqërisë civile me të cilët kam komunikuar për t’i ofruar mbështetje edhe pse vendimmarrja e vajzës ka qenë që unë dua të vazhdoj jetën, por nga larg policia vijon të ndjekë të mbajë në monitorim se duam të garantojmë që ajo e vazhdon jetën në mënyrë normale./abcnews.al