Partia Demokratike ka reaguar pasi INSTAT publikoi para dy ditësh të dhënat demografike në lidhje me tremujorin e dytë. Në këto të dhëna, shifrat e INSTAT konfirmojnë goditjen e fortë që i dha pandemia Shqipërisë në lidhje me humbjen e jetëve përgjatë periudhës tetor 2020-mars 2021.
Në një postim në Facebook, deputetja e zgjedhur e PD, Albana Vokshi shkruan se të dhënat e INSTAT kanë nxjerrë zbuluar propagandën me pandeminë.
Lexo edhe: 7 500 “tepër”, koronavirusi bëri kërdinë me të vdekur, shifrat e INSTAT konfirmojnë dramën që kaluam
Ndërsa citon të dhënat, Vokshi shprehet se dështimin e qeverisë në menaxhimin e pandemisë e paguan qytetarët e thjeshtë, që sipas saj, mbetën të pambrojtur pasi “përgjigja e vetme që kishte qeveria ishte propaganda.”
Sipas PD, kryeministri Edi Rama refuzoi planin e tyre me 5 pika, sepse kishte “planin e tij për të plaçkitur taksat e shqiptarëve edhe në kohë pandemie.”
ALBANA VOKSHI NË FACEBOOK
“Shqipëria me numrin më të lartë të vdekjeve në Europë që nga fillimi i pandemisë. 10 mijë vdekje më shumë. Dështimin e Edi Ramës me pandeminë e paguan qytetarët e thjeshtë, të cilët mbetën të pambrojtur ndërkohë që përgjigjja e vetme që qeveria kishte, ishte si përherë propaganda.
Teksa qytetarët vuanin dhe ekonomia lëngonte, Rama nuk hoqi asnjëherë dorë nga mashtrimet dhe gënjeshtrat, nuk hoqi dorë as nga shpenzimet e majme për klientët e tij, nuk hoqi dorë nga koncesionet korruptive dhe nga tenderat sekretë në kohë fatkeqësie.
Prandaj, Shqipëria u rendit: – e fundit në Europë për numrin e testimeve, – e fundit në Europë për numrin e mjekëve për banorë, – e fundit në Europë për ndihmën ekonomike dhe – e para në Europë për numrin e jetëve të humbura në raport me popullsinë.
Rama refuzoi planin e PD me 5 pika, sepse ai kishte planin e tij për të plaçkitur taksat e shqiptarëve edhe në kohë pandemie.
Atë që sot zbulon INSTAT-i, qytetarët e kanë jetuar dhe vuajtur në lëkurën e tyre. Këto janë pasojat e pashmangshme të sundimit të një pakice që ka braktisur shqiptarët dhe punon vetëm për veten dhe klientët e saj.” s.b/abcnews.al/