Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Të dërguarit e Trump nisen drejt Kievit pas takimit me Putin në Moskë

schedule10:19 - 6 Shtator, 2026

schedule 10:19 - 6 Shtator, 2026

Pas një dite me takime të rëndësishme në Moskë, përfshirë edhe një takim me presidentin Vladimir Putin, të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner po ndryshojnë destinacionin e misionit të tyre, duke u nisur drejt Kievit për bisedime me liderin ukrainas Volodymyr Zelensky, me synimin për t’i dhënë fund konfliktit, i cili tashmë ka hyrë në vitin e pestë.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti raportoi se bisedimet mes të dërguarve amerikanë dhe Putinit zgjatën rreth tri orë, ndërsa përfaqësuesit amerikanë u larguan nga Kremlini rreth orës 23:00 më 5 shtator. Pak pas mesnatës, TASS raportoi se amerikanët ishin larguar nga Moska.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha Radios Evropa e Lirë se “të dyja palët diskutuan plane konkrete për hapat e ardhshëm, të cilët do të bëhen publikë në javët në vijim” dhe se të dërguarit “presin me padurim takime po aq produktive” në Ukrainë më 6 shtator.

Ndihmësi i Kremlinit, Yury Ushakov, i cili mori pjesë në takim, i cilësoi bisedimet si “substanciale, shumë të sinqerta dhe konstruktive”. Ai shtoi se të dërguarit paraqitën qëndrimin e SHBA-së dhe premtuan se do t’ua përcillnin udhëheqësve ukrainas në Kiev pikëpamjet e Putinit.

“Ata jo vetëm që shprehën interesimin e tyre të vazhdueshëm për t’i dhënë fund shpejt luftimeve, por paraqitën edhe një sërë idesh për rrugët e mundshme drejt një zgjidhjeje”, tha ai.

Ushakov këmbënguli se Rusia do t’i arrijë qëllimet e saj dhe se duhet të zgjidhen “shkaqet rrënjësore” të konfliktit. Ky është një formulim që Kremlini e përdor për t’iu referuar dhënies fund të shpresave të Ukrainës për anëtarësim në NATO dhe hapave për çarmatimin de facto të ushtrisë ukrainase, mes kërkesave të tjera të lidhura me ankesat historike – çështje që Kievi i ka refuzuar që një kohë të gjatë.

Teksa takimi nisi rreth orës 20:00, RIA Novosti e citoi Putinin të ketë thënë se të tre zyrtarët do të duhej të përballeshin me një “situatë të vështirë” gjatë diskutimeve të tyre në Kremlin.

Takimi duket se nisi me vonesë, pasi Putini e kaloi ditën duke hapur një linjë të re të metrosë në Moskë, duke inauguruar përmes video-lidhjes një terminal nafte në Siberi dhe duke u takuar me anëtarë të partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë më herët se të dërguarit e Uashingtonit do t’u paraqisnin rusëve një marrëveshje paqeje dhe më pas, të nesërmen, do ta paraqisnin ofertën para Ukrainës.

Trump deklaroi Uashingtoni kishte “një ide për paqen” dhe se të dërguarit e tij “po sillnin me vete një propozim për t’i dhënë fund luftës”, e cila tashmë ka hyrë në vitin e pestë, pasi në shkurt të vitit 2022 Putin nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

“I dërgova ata për të parë nëse mund të arrijmë apo jo diçka dhe mund të ketë një shans të mirë që ta bëjmë këtë”, u tha Trump gazetarëve më 4 shtator.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!