DOSSIER/ Të ardhura pasanikësh, statistikat e pabesueshme të komunizmit dhe lufta kundër mjekëve privatë në vitet ’60

schedule10:38 - 20 Nëntor, 2021

schedule 10:38 - 20 Nëntor, 2021

Nga Hasan Bello

Megjithëse regjimi komunist u përpoq të ndërtonte një sistem shëndetësor dhe ta shtrinte rrjetin e këtij shërbimi në të gjitha qytetet, fshatrat dhe zonat e thella malore, përsëri ai nuk arriti të përballonte nevojat e popullsisë.

Kjo vinte për shumë arsye, ku në radhë të parë ishte mungesa e theksuar e personelit të kualifikuar. Për këtë shkak, edhe pas vitit 1944 një numër i konsiderueshëm mjekësh do ta ushtrojnë profesionin e tyre privatisht. Kjo pasi ligji e lejonte diçka të tillë. Por në mënyrë të kufizuar.

Sipas një relacioni të ministrit të Shëndetësisë Dr.Ciril Pistoli drejtuar kryeministrisë më 4 nëntor 1963, shtimi i rrjetit të institucioneve shëndetësore, i kuadrove dhe i specialistëve të kualifikuar kishte ardhur duke u zgjeruar. Kështu, në rast se në vitin 1960 kishte patur 444 mjekë ose një mjek për 3660 banorë, në vitin 1963 kishte 699 mjekë ose një mjek për 2500 banorë. Kjo shifër vinte duke u përmirësuar nga viti në vit.

Ndihma mjekësore ambulatore nëpër qytete jepej nëpërmjet poliklinikave. Këto institucione çdo vit plotësoheshin me kuadrot e nevojshëm dhe të specialiteteve të ndryshme. Kjo sidomos në qytetet kryesore, ku numri i popullsisë ishte më i madh se në qendrat e tjera urbane dhe nevoja e tyre ndjehej akoma më shumë.

Megjithatë problematikat e shfaqura në sistemin shëndetësor ishin serioze. Prandaj, në vitin 1958 ministria lëshoi udhëzimin për bashkimin e spitaleve me poliklinikat. Në bazë të këtij udhëzimi, mjekët e spitaleve punonin edhe në poliklinikë. Në këtë mënyrë, cilësia e këtyre përmirësohej. Kjo, sepse, supozohej që mjekët e spitaleve ishin më të përgatitur.

Në poliklinikat e kohës, puna fillonte në orën 7:00 të mëngjesit dhe përfundonte në orën 22:00 – 24:00 të mbrëmjes. Në disa poliklinika, siç ishte ajo e Tiranës dhe Elbasanit, kishte shërbim 24 orë.

Ndërsa në ato qytete ku nuk kishte mjek roje nëpër poliklinika gjatë natës, shërbimi mjekësor ofrohej nëpër spitale në çdo orë. Për hir të së vërtetës, një nga ato pak aspekte pozitive që kishte regjimi komunist, ishte shtrirja e shërbimit shëndetësor. Pastaj sesa cilësor ishte ky shërbim është një çështje tjetër.

Por një shqetësim i madh për Ministrinë e Shëndetësisë në këtë periudhë ishte fakti se, krahas shërbimit shtetëror që bëhej në poliklinika, në disa qytete nga ana e mjekëve bëhej edhe punë private.

Nga të dhënat e mbledhura nga Ministria e Shëndetësisë, puna private nga janari deri në shtator të vitit 1962 paraqitej sipas të dhënave të kësaj tabele:

Sipas këtyre të dhënave nga 699 mjekë që kishte gjithsej vendi ynë të paktën 88 prej tyre e ushtronin profesionin në mënyrë private në poliklinikat shtetërore.

Kjo ndodhte kryesisht në qytetet kryesore, ku përqindja e vizitave private, në krahasim me atë të poliklinikave, ishte mesatarisht 10%.

E shprehur në shifra, diferenca ishte kjo: nga 1.200.000 vizita të bëra në poliklinika, vetëm 118.000 ishin bërë privatisht. Por sipas statistikave edhe këto vizita ishin të përqendruara në një numër të vogël mjekësh.

Kështu, nga 118.000 vizita që ishin bërë gjatë nëntë muajve të vitit 1962, 92.000 vizita ishin kryer vetëm nga 49 mjekë, ndërsa 39 mjekë të tjerë kishin kryer 25.400 vizita.

Nga kjo llogaritje del se 49 mjekët që kishin kryer 79% të vizitave ishin përqendruar në tetë qytete: në Korçë 6 mjekë kishin bërë 11.963 vizita, në Lushnje 2 mjekë 5.370, në Vlorë 8 mjekë 12.141, në Fier 7 mjekë 7.727, në Berat 4 mjekë 10.710, në Elbasan 7 mjekë 13.424, në Tiranë 12 mjekë 24.958, në Shkodër 4 mjekë 5.804.

Nga mjekët që kishin bërë më tepër vizita private ishin: në Tiranë Kristo Kristidhi 4.163 vizita, Jorgji Jorgoni 3.682, Besim Zyma 2.660, Isuf Dashi 2.495, Jani Theodhosi 2.293; në Elbasan, Stilian Nosi 3.948, Reshat Kapshtica 2.515; në Berat, Ymer Dishnica 3.566; në Fier, Jani Melo 1.995, Aleko Noçka 3.188; në Vlorë, Fiqiret Babani 1.760, Kostandin Kauri 1.783, Mihal Angjeli 1.724; në Korçë, Ilia Papakozmaj 2.266, Vasil Tomça 2.361, Sotir Polena 2.636; në Lushnje, Ihsan Çabej 3.290, Vasil Kuli 2.080.

Këto shifra përbënin një shqetësim për Ministrinë e Shëndetësisë, për shkak të dispropocionit të madh që krijohej në aspektin ekonomik mes mjekëve që punonin privatisht dhe atyre që ishin pjesë e poliklinikave dhe spitaleve shtetërore.

Por në vend që ky institucion të shtronte pyetjen përse ndodhte kjo, çështja shihej nga një këndvështrim tjetër. Sipas ministrisë, një gjë e tillë jo vetëm që prishte ndërgjegjen e njerëzve që punonin në këtë mënyrë, por influenconte në mënyrë negative edhe tek mjekët e tjerë të cilët, duke u nisur nga të ardhurat e shokëve të tyre, ishin të prirur të shkonin drejt asaj rruge.

Kjo, sipas raportit kishte krijuar pakënaqësi dhe mosmarrëveshje mes mjekëve dhe seicili prej tyre, përpiqej për të fituar sa më shumë klientelë për të rritur të ardhurat.

Kështu, kujdesi në spital për të sëmurët privatisht ishte më i mirë sesa për ata që shtroheshin nëpërmjet poliklinikave.

Në raste të tilla mjeku ishte më i angazhuar për shkak të pagesës që do të merrte. Për ministrinë ky ishte një shqetësim serioz për shkak se shërbimi shëndetësor në spitalet e shtetit bëhej i diferencuar. Kjo dëmtonte rëndë imazhin e propagandës komuniste dhe “arritjet” e saj në fushën e shëndetësisë.

Një problem tjetër mbetej fakti se me përjashtim të kryeqytetit ku këta mjekë vizitonin pacientë brenda specialitetit përkatës, në qytetet e tjera të Shqipërisë ata merrnin përsipër të gjitha specialitetet pa qenë të kualifikuar.

Përveç kësaj, aktiviteti i mjekëve privatë kishte sjellë mjaft anomali në poliklinikat shtetërore për këto arsye:

  • Pacientët e vizituar privatisht nuk bënin analizat e nevojshme për përcaktimin e diagnozës, prandaj ata detyroheshin të paraqiteshin në poliklinika për t’u rivizituar. Pra mjeku në mënyrë private nuk kishte mundësi që t`i jepte të sëmurit zgjidhjen e duhur dhe kjo punë praktikisht ishte kryer nga poliklinika.
  • Meqenëse mjeku privat nuk kishte të drejtë të lëshonte raporte, i sëmuri detyrohej të rivizitohej në poliklinikë. Kështu, që edhe në këtë rast nuk i mbarohej punë tek mjeku privat.
  • Kishte raste kur mjeku privat, që punonte edhe në poliklinikë, të sëmurit që i paraqitej për vizitë në shtëpi, i rekomandonte që të paraqitej në poliklinikë, kur ai të ishte me shërbim, për t`i lëshuar raportin ose për ndonjë lehtësi tjetër të kësaj natyre. Kjo linte shteg për shpërdorimin e pozitës së mjekut, pasi për të siguruar klientelën, lëshonin raporte pushimi në mënyrë të pajustifikuar.
  • Mjekët që ushtronin profesionin privatisht në shumë raste dëmtonin shëndetin e të sëmurit dhe ekonominë e vendit, për shkak se për të siguruar sa më shumë të ardhura, i jepnin pacientëve sasi të mëdha ilaçesh, sidomos antibiotikë.

Këto pika ishin pjesërisht të vërteta. Ministria thekson se nga studimi që i kishte bërë këtij problemi ishte e mendimit se kishte ardhur koha për ta ndaluar ushtrimin e profesionit të mjekut në mënyrë private, sepse përveç të tjerave, ky profesion humanitar, kthehej në një profesion tregtie, ku seicili mundohej të siguronte sa më shumë të ardhura nga njerëzit që vuanin nga sëmundje të ndryshme.

Kjo masë do të sillte përmirësimin dhe forcimin e sistemit shëndetësor; kuadrot mjekësor do të bënin përpjekje për rritjen e aftësive profesionale dhe do të rregullonin marrëdhëniet ndërmjet tyre që për momentin linin për të dëshiruar.

Ndalimi i ushtrimit të profesionit të mjekëve në mënyrë private sipas ministrisë nuk do të kishte asnjë efekt për shërbimin e popullsisë. Kjo sepse nevojat e saj mund të plotësoheshin me kapacitetin e mjekëve të poliklinikave shtetërore. Por, nga ana tjetër, ndalimi i ushtrimit të këtij profesioni privatisht do ta detyronte këtë kategori mjekësh të punësoheshin në spitalet shtetërore.

Më 9 gusht 1963 ky raport i Ministrisë së Shëndetësisë iu dërgua Komitetit Qendror të PPSH. Ky i fundit e miratoi kërkesën dhe e udhëzoi atë t`i drejtohej kryeministrisë që të përgatiste një projektligj.

Por këshilltarët e kryeministrit parashtruan disa rezerva. Sipas tyre: si do të përballohej puna në lokalitetet e vogla ku kishte një ose dy mjekë? A do të shkonin këta mjekë në raste urgjencash, natën ose ditën, nëpër fshatra kur të kishte nevojë pa pagesë?

Në qytete kishte njerëz që u ishte mbushur mendja të vizitoheshin në X mjek, sepse tek ai kishin besim, pavarësisht pagesës.

Ministria e Shëndetësisë duhej të bënte një studim krahasues sesi kishte qenë ngarkesa e mjekëve privatë gjatë viteve 1960-1963. Kjo do të tregonte nëse me shtimin e numrit të mjekëve në spitalet shtetërore puna e tyre ishte rritur apo ishte pakësuar.

Nga ana tjetër duhej parë edhe sasia e lejeve që Ministria e Shëndetësisë kishte dhënë për ushtrimin e këtij profesioni privatisht. Sepse gjatë viteve të fundit disa mjekë të njohur si dr.Kadri Kërçiku dhe dr.Hiqmet Dibra kishin dhënë dorëheqje nga puna private.

Sipas këshilltarëve të kryeministrit, mjekëve nuk ia prishnin ndërgjegjen vetëm lekët dhe puna private, por edhe orët e natës dhe ato suplementare në poliklinikë.

Kishte raste kur disa mjekë më shumë të ardhura siguronin duke punuar në shtet. Kështu, Dr.Taqi Skendi në Korçë për 6 muaj kishte marrë nga sanatoriumi 83.542 lek për rojet që bënte dhe 25.000 lek nga poliklinika.

Kjo shumë në total shkonte 108.542 lek në 6 muaj përveç rrogës. A nuk ishte kjo një anomali?-pyesnin këshilltarët e kryeministrit.

Në fakt kjo nuk ishte aspak anomali, sepse mjekët përfitonin nga intensiteti i punës së tyre.

Një rast tjetër ishte ai dr.Fadil Spahiut i cili për 9 muaj nga orët suplementare në poliklinikë dhe si mjek roje në spital kishte marrë 91.249 lek përveç rrogës mujore.

Por ndërsa ministria përpiqej me të gjitha mënyrat për të mbyllur shtegun e ushtrimit të profesionit të mjekut në mënyrë private, në shtet kishte lulëzuar një fenomen tjetër negativ.

Drejtorët e spitaleve dhe poliklinikave punonin me orë suplementare, për të rritur të ardhurat e tyre mujore.

Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Shëndetësisë puna private e kryer nga mjekët mbulonte vetëm 10% të vizitave që kryeheshin nëpër poliklinika. Me ndalimin e këtij profesioni, miliona lek që harxhoheshin për orët suplementare në institucionet shtetërore do të shtoheshin akoma dhe më shumë me rritjen e numrit të mjekëve.

Një çështje tjetër ishte edhe kualiteti i mjekëve në poliklinika. Kjo i detyronte shpesh pacientët, të pakënaqur, t`i drejtoheshin mjekëve privatë.

Vetëm për të marë një numër, për tu vizituar tek mjeku, atyre i duhej të sorollateshin një deri në dy ditë. Ndërsa në privat ata mbaronin punë për një gjysëm ore.

Prandaj, Ministria e Shëndetësisë sipas këtij raporti duhej të merrte masa për riorganizimin, disiplinimin dhe rritjen e nivelit të shërbimit në poliklinika dhe spitalet shtetërore, e më pas të kërkonte ndalimin e ushtrimit të profesionit të mjekut në mënyrë private. Nga ky këndvështrim, për momentin mjekët privatë ishin një element i rëndësishëm që plotësonte boshllëqet e shtetit.

Për luftuar punën private kishte dy rrugë:

1-të punësoheshin në poliklinika mjekët më të mirë dhe të rritej cilësia e shërbimit;

2-sipas ministrisë kishte 80 mjekë që e ushtronin këtë profesion privatisht. Këta duheshin ndarë në tre kategori, në grupin e parë prej 25-30 mjekësh, që ishin dhe më të aftët, tu jepej nga një infermier ose ndihmës mjek që jo vetëm t`i ndihmonin, por dhe të mbanin evidencat e sakta me kartelat dhe regjistra mjekësorë duke rritur kualitetin.

Në grupin e dytë mund të ishin po kaq mjekë që e ushtronin profesionin e tyre për tregti dhe që konsideroheshin matrapazë.

Këta duheshin goditur me tatim fitime aq keq sa që të mos i interesonte fare ushtrimi i këtij profesioni privatisht dhe të tërhiqeshin vetë. Në kategorinë e tretë mund të bënin pjesë 30-40 vetë, të cilët ishin produkt i regjimit komunist. Këta duhet të thirreshin nga sekretarët e partive, kryetarët e komiteteve etj., dhe t`u shpjegohej se ushtrimi i këtij profesioni privatisht, nuk ishte në interes të shoqërisë.

Prandaj sugjerohej që Ministria e Shëndetësisë kërkesat e saj për të ndalura ushtrimin e profesionit të mjekut privatisht t`i rishikonte dhe një herë, duke i vlerësuar në raport me nevojat dhe rrethanat e kohës.

Në mesin e viteve 60-të hapësira e mjekëve privatë do të ngushtohet aq shumë sa që askujt nuk do t`i interesonte më të punonte jashtë spitaleve dhe poliklinikave shtetërore. /abcnews.al

*Titulli është i redaksisë, titulli i autorit: Ndalimi i mjekëve privatë në vitin 1963
**Materiali është përgatitur ekskluzivisht për abcnews.al, ndalohet riprodhimi online pa lejen me shkrim të redaksisë!