Një 50-vjeçar nga Elbasani ndodhet në vdekje klinike në Tiranë. Ai është Gazment Kurmaku 50-vjeç, kryekamarieri i një kompleksi në Labinot në dalje të Elbasanit në drejtim të qytetit të Librazhdit. Por çfarë ka ndodhur?
“ABC” mëson nga burime zyrtare nga policia e Elbasanit se gjithçka ka nisur tre ditë më parë. Erjon Llapushi kishte shkuar si klient në restorant, por 50-vjeçari që ishte në krye të detyrës si shef i kamarierëve e ka njoftuar se tavolina ku ishte ulur ishte e rezervuar.
Llapushi ka kundërshtuar dhe debati ka agravuar. Po sipas burimeve nga policia e Elbasanit, që rastin e ka njoftuar si sherr banal, Llapushi e ka goditur Gazment Kurmakun me grushte dhe sende të forta. 50-vjeçari ka rënë duke përplasur kokën me një pjesë betoni duke përfunduar në gjendje kome.
Pas ndihmës së parë në spitalin e Elbasanit, 50-vjeçari u transportua në Tiranë ku raportohet se ndodhet në vdekje klinike. “ABC” ka siguruar foton e autorin të ngjarjes, Erjon Llapushi./ Abcnews.al