Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagoi mbi deklaratën e bërë të shtunën nga ana e kryeopozitarit Lulzim Basha për ish-shefin e antidrogës së Fierit, Dritan Zagani. Përmes një postimi në Facebook ai e konsideroi gjënjeshtër pretendimin e Bashës se ish-oficeri Zagani është i padënuar. Postimi i deputetit socialist shoqërohej me një kopje të vendimit të Krimeve të Rënda të majit 2014, për caktimin e masës së sigurisë për ish-policin.
“Për Dritan Zaganin Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën arrest me burg, bazuar mbi kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që në hetimin e saj ka konstatuar krimin e dekonspirimit të një operacioni antitrafik të Policisë së Shtetit. Pas vendosjes së kësaj mase sigurie, Dritan Zagani është zhdukur për t’i ikur drejtësisë dhe është shfaqur më pas nga jashtë vendit, si heroi mediatik i Partisë Demokratike”, theksonte Balla.
Të shtunën kreu i Partisë Demokratike tha se Edi Rama gënjeu për dënimin e Zaganit, duke iu referuar deklaratave të bëra nga kryeministri në programin “Zonë e Lirë”.
Taulant Balla: Basha gënjeu për Zaganin
schedule11:37 - 29 Tetor, 2017
schedule 11:37 - 29 Tetor, 2017