Nga 1 janari 2021 në vend ka nisur lëshimi i faturave elektronike për bizneset që kryejnë transaksione pa para në dorë me entet publike.
Nga 1 korriku procesi i fiskalizimit do të nisë për bizneset që mes tyre operojnë me transaksione pa para në dorë.
Bizneset e vogla do të nisin të lëshojnë fatura elektronike nga 1 shtatori i këtij viti. Deri në përfundim të dy fazave të para që nga administrata tatimore konsiderohen tranzitore të gjitha bizneset mund të përdorin pa pagesë portalin Self Care për lëshimin e faturave elektronike.
Tatimet nëpërmjet një video sqarojnë hapat që duhet të ndjekin tatimpaguesit për t’u regjistruar në platformën qëndrore të faturave.
Në adresën e Platformës Qendrore të Faturave, https://efiskalizimi-app.tatime.gov.a…, fillimisht duhet të pranoni “Termat dhe Kushtet” dhe më pas të klikoni “Identifikim nëpërmjet e-Albania”. Automatikisht do të drejtoheni në portalin e-Albania. Vendosni kredencialet e llogarisë tuaj në këtë portal, pra NIPT-in dhe Fjalëkalimin tuaj, dhe menjëherë do të log-oheni në portalin Self-Care.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj në një intervistë për Monitor më herët kërkoi që edhe bizneset e vogla të nisin të përdorin portalin pa pagesë Self-Care në versionin test, për t’u familjarizuar me procesin. Znj. Ibrahimaj tha se deri tani janë lëshuar mbi 560 mijë fatura elektronike. Numri i tatimpaguesve të përfshirë në procesin e fiskalizimit nga data 1 Janar deri tani është 3,004.
Administrata Tatimore ka organizuar në mënyrë të vazhdueshme trajnime për tatimpaguesit, duke nisur që nga viti i kaluar dhe do të vijojë edhe në muajt në vijim, kjo edhe në bashkëpunim me shoqatat e kontabilisteve për të pasur mbulim sa më të gjerë.
Deri më datë 9 prill 2021, në trajnimet e zhvilluara në të gjitha Drejtoritë Rajonale Tatimore, kanë marrë pjesë 17,943 pjesëmarrës, nga të cilët 1,252 janë ente publike, 15,290 tatimpagues si dhe 1,401 kontabilistë. Ndërkohë janë zhvilluar gjithashtu edhe 10 trajnime në bashkëpunim me shoqatat e ekspertëve dhe kontabilistëve, me një shifër prej 1,250 pjesëmarrësish. /Monitor