Tashmë është zyrtare, gazetarët do ndjekin fizikisht mbledhjet e komisioneve parlamentare

schedule17:32 - 6 Korrik, 2021

schedule 17:32 - 6 Korrik, 2021

Tashmë është zyrtare. Byroja e Kuvendit, miraton ndryshimet në Rregulloren për akreditimin, akomodimin dhe orientimin e medieve pranë Kuvendit të Shqipërisë. Kështu protestat e nisura një muaj më parë, për të mos lejuar izolimin e medias në institucionin kryesor për një republikë Parlamentare dha rezultat.

Reporterët do të mund të ndjekin fizikisht në Kuvendin mbledhjet e komisioneve parlamentare, teksa pamjet e prodhuara nga Kuvendi nuk do të jenë të vetmet që media do të mund të transmetojë.

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi hodhi firmën mbi vendimin e Byrosë së Kuvendit e cila rrëzoi vendimmarrjen e saj të mëparshme, duke pranuar kërkesa të gazetarëve. Gjithashtu Kuvendi u tërhoq nga vendimi që punonjësit e gardës së republikës të shoqërojnë gazetarët në ambientet e Kuvendit, duke konsideruar si të nevojshëm vetëm kontrollin fillestar kur ata hyjnë në institucion.

Byroja vendosi shtesat dhe ndryshimet si më poshtë:

1. Lejimin e prezencës fizike të gazetarëve në komisionet parlamentare si dhe lejimin e përdorimit të aparateve celularë në ambientet e komisioneve nga ana e tyre, duke u mundësuar atyre aksesin e plotë të çdo informacioni, përtej asaj që mundëson sistemi.

2. Mundësimin e marrjes së planeve video për një minutazh të caktuar, duke përcaktuar një kohë në dispozicion për marrjen e këtyre planeve, rreth 5 minuta nga fillimi i mbledhjes.

3. Shoqërimin e përfaqësuesve të medias vetëm nga ana e punonjësve të Zyrës së Shtypit në Kuvend, në rastet kur është e nevojshme, dhe sipas përcaktimeve të lëvizjes dhe vendqëndrimit të tyre në këtë Rregullore.

4. Krijimin për gazetarët të një ambjenti të posaçëm qëndrimi, përveç atij te salla e medias/News Room, edhe në oborrin e jashtëm, brenda territorit të Kryesisë së Kuvendit, duke mundësuar atyre aksesin e tyre ndaj deputetëve dhe personave të tjerë për të cilët janë të interesuar.

5. Heqjen e detyrimit për dhënie informacioni Zyrës së Medias së Kuvendit, lidhur me çështjet konkrete që do të diskutohen, në kërkesat për intervista me deputetë në Kuvend./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!