Nëse vendosim të bashkëpunojmë me Bashkimin Demokratik për Integrim, nuk kemi çfarë të kërkojmë në qeveri, ndërsa bashkëpunimin me VLEN e shoh si një derë të mbyllur.
Ky ka qenë reagimi i Arben Taravarit, ministër i shëndetësisë në qeverinë e Hristian Mickoskit dhe kryetar i Aleancës për Shqiptaret.
Kjo e fundit është larguar nga koalicioni VLEN, ndërsa partitë që ndërtonin koalicionin janë shkrirë në një të vetme, me synimin për të bashkuar forcat në garën e zgjedhjeve lokale.
Këtë të hënë Taravari ka konfirmuar një takim me kryeministrin Mickoski, me te cilin bashkëpunoi për të sjellë në pushtet VMRO-DPMNE-në.
Sipas Taravarit, takimi me Mickoskin është në vazhdën e komunikimit të vazhdueshëm dhe se nga ky takim nuk pret diçka të posaçme.
“Me Mickoskin, asgjë e posaçme, kemi komunikim të vazhdueshëm.
Ne i kemi thënë qëndrimet tona, jemi parti autonome i sjellim vendimet vet, do t’i sqarojmë disa punë që mendoj se ai i ka të paqarta. Përfundimisht Aleanca për Shqiptarët do të del me lista të veçanta për këshilltar kurse për kandidatë për kryetar komunash me shumë gjasa do t’i ketë kandidatët e vetë”, deklaroi Arben Taravari.
Ka qene kryeministri i RMV që një ditë më parë ka reaguar lidhur me lëvizjet e Taravarit dhe një bashkëpunim me BDI e Ali Ahmetit.
Sipas tij, është e papranueshme një marrëveshje e tillë.
Qëndrimet e Taravarit kanë nisur të krijojnë tension brenda qeverisë së VMRO-DPNE-së dhe vetë koalicionit VLEN.
Synimi të tij për të garuar i vetëm në zgjedhjet e ardhshme lokale ka ngritur pyetje nëse përçarjet në VLEN mund të çojnë në rikonstruktim të përbërjes qeveritare ose në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.