Kampionia e Serbisë, Crvena Zvezda, arriti një sukses të madh në Champions, por tifozët u habitën nga diçka tjetër. Një tank u vendos përpara ndeshjes, në dyert e stadiumit “Rajko Mitiç” në Beograd.
Kualifikimi i dytë radhazi ishte lajm i madh, por ndoshta po aq edhe ndodhia tepër e veçantë. Tifozë të Crvena Zvezdës, kampiones së Serbisë, porositën një tank që të vendosej përpara stadiumit “Rajko Mitiç”, apo siç njihet ndryshe “Marakana” e Beogradit, përpara ndeshjes ndaj Jang Bojsit të Zvicrës në Champions.
Porosia shkoi në vend, duke krijuar besohet një precedent, pasi vështirë që ndonjëherë të jetë vendosur para stadiumit një mjet i tillë luftarak.
Çfarë thotë UEFA për rastin “Tanku para Rajkos”?, – titullon “B92”-shi, – mediat zvicerane tregojnë se UEFA u pyet për këtë çështje, dhe i dërguari i saj deklaroi se tanku nuk përbën asnjë rrezik nëse nuk shtin”.
Për tankun u detyrua të fliste edhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç, ndërsa u ndodh përpara gazetarëve. “Përpara stadiumit të Zvezdës nuk është parkuar një tank, por një maket tanku, – sqaroi ai, – kemi komunikuar me organet e drejtësisë dhe na është deklaruar se nuk ka elementë të veprës penale. Brenda tankut nuk ka eksploziv apo predha, asgjë që të rrezikojë jetën e njerëzve”.
Në fushën e lojës, Crvena Zvezda i lumturoi tifozët e saj, duke i siguruar himnin e Championsit edhe gjatë vjeshtës, ashtu si vjet.
Barazimi 2-2 në Zvicër u pasua nga një tjetër barazim, 1-1, dhe kualifikim falë golit më shumë në fushë kundërshtare. Aleksa Vukanoviç kaloi vendasit në epërsi kur kishte kaluar një orë lojë, por tensioni u rrit kur Jang Bojsi barazoi 9 minuta para fundit, kur El Fardu Ben shkaktoi autogol.
Gjithsesi, Zvezda u mbajt deri në fund, dhe shpërthimi I entuziazmit ishte krejtësisht I ligjshëm. Natyrisht, skuadra e sotme nuk është ajo e fundviteve 80-të deri në 1991, kur edhe u shpall kampione e Europës, por shpresat në Beograd janë të mëdha për kualifikim të paktën deri në turin e dytë./ABC News Albania 24/7