Talibanët kryejnë ekzekutimin e gjashtë që prej kthimit në pushtet

schedule16:53 - 13 Nëntor, 2024

schedule 16:53 - 13 Nëntor, 2024

Talibanët e ekzekutuan një burrë të dënuar për vrasje, të mërkurën në një stadium sporti. Ai është personi i gjashtë i ekzekutuar në publik prej se grupi radikal islamist u kthye në pushtet në vitin 2021.

Ekzekutimi u krye me armë zjarri nga një anëtar i familjes së viktimës në qytetin Gardez, i cili është kryeqytet i provincës lindore Paktia.

Kisas, apo dënimet ndëshkuese islamike, ku mund të përfshihen edhe vrasjet prej duarve të familjeve të viktimave, kanë qenë tipar dallues i talibanëve kur ata ishin në pushtet në Afganistan për herë të parë nga viti 1996 deri më 2001.

Gjykata Supreme talibane njoftoi në X se “një vrasës u dënua me ndëshkim hakmarrës”, duke e publikuar emrin e tij si Mohammad Ayaz Asad.

Mediat raportuan se Ayaz Asad u ekzekutua me tre plumba në gjoks.

Sipas gjykatës, Asadi e kishte vrarë një burrë me emrin Saif-ul-Qatal me pushkë Kallashnikov. Nuk është e qartë nëse Ayaz Asad e kishte pranuar fajin ose nëse ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat.

Dënimi me vdekje ishte aprovuar nga lideri i Gjykatës Supreme talibane, Mullah Hibatullah Akhundzada, pas “shqyrtimit të kujdesshëm” nga tri gjykata ushtarake talibane, thuhej në njoftim.

Anëtarë të lartë të Qeverisë talibane, përfshirë ministrin e Brendshëm në detyrë, Sirajuddin Haqqani, morën pjesë në ekzekutim.

Haqqani është lider i rrjetit Haqqani, i cili është i shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe cilësohet si ndër grupet më të dhunshme të Afganistanit.

Talibanët e kanë kthyer praktikën e “kisas” prej se e morën përsëri në dorë pushtetin në gusht 2021, kur forcat e udhëhequra nga SHBA-ja u tërhoqën nga vendi i shkatërruar nga lufta pas më shumë se dy dekadave.

Në shkurt u ekzekutuan në publik tre burra.

Dy burra, Syed Jamaluddin dhe Gul Khan, u ekzekutuan me armë zjarri në një stadium futbolli në juglindje të provincës Ghazni.

Ndërkohë, një burrë i paidentifikuar e ekzekutoi Nazar Mohammadin brenda një stadiumi sporti në provincën veriore Javzjan. Thuhej se qitësi u hakmor për vdekjen e vëllait, Khal Mohammad.

Praktikat e këtilla janë dënuar nga afganët dhe nga bashkësia ndërkombëtare, ndërsa ekspertët e kanë vënë në dyshim ligjshmërinë e tyre në bazë të ligjit islamik, duke thënë se qëllimi i tyre është të ndjellë frikë.

Misioni i OKB-së në Afganistan, UNAMA, tha se ekzekutimet “janë në shpërputhje me detyrimet ndërkombëtare të Afganistanit për të drejtat e njeriut dhe ato duhet të ndalen”./rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!