Talibanët ekzekutojnë publikisht dy burra të dënuar për vrasje

schedule14:08 - 22 Shkurt, 2024

schedule 14:08 - 22 Shkurt, 2024

Autoritetet talebane ekzekutuan sot publikisht dy burra të dënuar për vrasje. Ata u qëlluan disa herë pas shpine në një stadium në qytetin e Ghazni, ku mijëra ishin mbledhur për të parë ekzekutimin.

Familjet e viktimave të pranishme në stadium refuzuan t’i falin të dënuarit. Këto janë ekzekutimet e treta dhe të katërta publike që ndodhin në Afganistan që kur talebanët morën pushtetin në gusht 2021.

Ekzekutimet publike ishin të zakonshme gjatë periudhës së parë të sundimit të talebanëve, nga viti 1996 deri në 2001. Ata që dënoheshin me vdekje zakonisht ekzekutoheshin me pushkatim ose me gurë, në varësi të krimeve për të cilat ishin dënuar.

Që nga viti 2021, dy ekzekutime të tjera kanë ndodhur në Afganistan, të dyja për vrasje.

Në ekzekutimin e mëparshëm, i cili u zhvillua në qershor në provincën Laghman, një burrë i dënuar për vrasjen e pesë personave u ekzekutua me një plumb të vetëm në xhami para rreth 2,000 njerëzve.

Autoritetet talebane kanë kryer gjithashtu shumë fshikullime publike për krime të tjera si vjedhja, tradhtia bashkëshortore ose pirja e alkoolit.

Në nëntor të vitit 2022, Haibatullah Akhundzada kishte kërkuar nga gjyqtarët që të zbatonin të gjitha dispozitat e sheriatit, kryesisht në lidhje me ekzekutimet publike në rastet e dënimit për vrasje, por edhe dënimet fizike (gjuajtje me gurë dhe fshikullim).

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!