Talebanët festojnë një vit pushtet në Afganistan: Përmbushëm detyrimin e xhihadit

schedule08:17 - 15 Gusht, 2022

schedule 08:17 - 15 Gusht, 2022

Talebanët shpallën ditën e sotme (15 gusht) pushim për të festuar përvjetorin e parë të kthimit të tyre në pushtet në Afganistan.

Pas tërheqjes së trupave të SHBA-ve dhe NATO-s pas 20 vitesh ndërhyrje ushtarake në vend, talebanët pushtuat kryeqytetin e Afganistanit, Kabul më 15 gusht të 2021-it.

“Ne përmbushëm detyrimin e xhihadit dhe çliruam vendin tonë,” tha Niamatullah Hekmat, një luftëtar taleban që hyri në Kabul një vit më parë, vetëm disa orë pasi presidenti i rrëzuar Ashraf Ghani ishte larguar nga vendi.

Tërheqja kaotike e forcave të huaja vazhdoi deri më 31 gusht, me dhjetëra mijëra civilë të panikosur që nxituan drejt aeroportit të vetëm të kryeqytetit për t’u larguar nga vendi me çdo fluturim të mundshëm, raporton abcnews.al.

Pamjet e turmave të njerëzve në pistën e aeroportit teksa tentojnë të hipin në avionë për të shpëtuar nga talebanët tronditën mbarë botën.

Përveç shpalljes së ditës së sotme festë, deri më tani nuk është paralajmëruar ndonjë festim zyrtar i përvjetorit, por televizioni shtetëror tha se do të transmetojë programe speciale, pa detaje të mëtejshme.

Një vit më pas, luftëtarët talebanë po shprehen të kënaqur se lëvizja e tyre tani është në pushtet, ndërsa agjencitë e ndihmave humanitare nga ana e tyre, po shprehin shqetësimin se gjysma e 38 milionë banorëve të vendit po përballet me varfëri ekstreme.

“Kur ne hymë në Kabul dhe kur amerikanët u larguan, pati momente gëzimi”, tha Niamatullah Hekmat, tashmë pjesëtar i forcave special, i atashuar në gardën e pallatit presidencial.

Por për qytetarët afganë, veçanërisht për gratë, kthimi i talebanëve iu ka vështirësuar akoma edhe më shumë përditshmërinë me rregullat dhe ligjet e tyre strikte, që u kufizojnë atyre liritë dhe të drejtat themelore./abcnews.al./