Ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott i ka bërë thirrje qeverisë në Prishtinë që të tërheqë taksën prej 100 për qind për produktet serbe, me argumentin se ajo nuk i shërben normalizimit të marrëdhënieve.
“Normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës është rruga e vetme për një stabilitet të qëndrueshëm dhe prosperitet. Kjo kërkon kthjelltësi dhe një lidership të guximshëm. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian ndajnë të njëjtën bindje se tarifa duhet hequr”, ka thënë ambasadori në profilin e tij në Twitter.
Reagimi i Kyle Scott erdhi pas një takimi të zhvilluar mes tij dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç, me kërkesë të këtij të fundit. Vuçiç i kërkoi diplomatit amerikan që Shtetet e Bashkuara të përdorin ndikimin e tyre politik në Prishtinë, për të paralajmëruar palën shqiptare se me veprimet e saj po kërcënon paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Këmbëngulja e Prishtinës për tarifën ndaj mallrave serbe, por sidomos për krijimin e Ushtrisë së Kosovës përbëjnë shqetësim serioz për Serbinë dhe për të ardhmen e popullit serb në Kosovë”, i tha Vuçiç ambasadorit Skott./abcnews.al

