Takoi të atin pas 40 vitesh/ Lekë Shkoza: Në Shqipëri rrezikonte të pushkatohej, u largua në SHBA

schedule20:28 - 3 Shkurt, 2024

schedule 20:28 - 3 Shkurt, 2024

Historia e tij është nga ato që dëgjohen rrallë. Jeta e Lekë Shkozës u diktua nga rrethanat e kohës që lindi e jetoi.

Ai erdhi në jetë në vitet e para të diktaturës dhe ishte vetëm 3 muajsh kur i ati e braktisi atë dhe gjithë familjen.

“Babai tregonte arsyen e ikjes, sepse është shumë e vështirë, të linte gruan me një vajzë, pastaj u linda unë, dhe të ikësh. Por, ika tha, sepse më priste pushkatimi.”

Tregon se babai i tij dhe xhaxhai nuk e donin komunizmin, bindjet i kishin shprehur hapur dhe në Shqipëri rrezikonin pushkatimin. Për të shpëtuar jetën u larguan drejt Amerikës.

“Ishin kundra, nuk e donin atë sistem. Dolën në mal me forcat e veta, 16 burra, arrijnë e kalojnë. Ikin në Jugosllavi, disa vite i kanë mbajtur në kamp. Xhaxhai shkon në Amerikë, pas disa kohësh të gjithë përfundojnë në Amerikë.”

Pa kryefamiljarin, jeta e familjes Shkoza do të ishte e vështirë. Ata do të trajtoheshin gjithmonë si të persekutuar.

Mohimi i të drejtës për të kryer studimet e larta është një nga pengjet e Lekë Shkozës.

Babain e takoi për herë të parë vetem pas renies se komunizmit, gati 40 vite pasi ai i kishte braktisur. Emocionet e takimit ishin te forta.

“Pas fotografive, u kapëm. Atje u afruam, ishte shumë e sikletshme. Unë rezistova me zor, një takim që mendoja edhe vetë, mu duk vetja sikur isha në ëndërr.”

Por as babai dhe as xhaxhai nuk dëshironin që Leka të qëndronte në SHBA e të jetonte si emigrant. Ata e kishin përjetuar për shumë gjatë jetesën e vështirë e të mundimshme në vend të huaj e nuk donin që historia të përsëritej.

Pas viteve ’90 Leka do të shkonte e vinte shpesh nga Amerika, por nuk qëndroi kurrë si emigrant. Sot që është 73 vjeç, ai vijon të qëndrojë në Laç, qytetin e lindjes, duke respektuar amanetin e të atit për të mos e braktisur kurrë atdheun./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!