Takimi Trump – Kim, Pompeo: Do të rifillojnë bisedimet për çështjen bërthamore

schedule10:00 - 1 Korrik, 2019

schedule 10:00 - 1 Korrik, 2019

Takimi mes Donald Trump dhe Kim Jong Un ka zgjuar optimizmin për rifillimin e bisedimeve për çështjen bërthamore. Por pavarësisht situatës pozitive, Uashingtoni insiston se sanksionet duhet të mbeten në fuqi pavarësisht zhvillimit të negociatave.

Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo ka reaguar pas takimit të presidentit Trump me liderin Kim Jong Un në ish-zonën ushtarake mes dy Koreve, duke deklaruar se palët do të rinisin së shpejti bisedimet për çështjen bërthamore. Duke folur për mediat, Pompeo tha se, raundi i ri i negociatave ka gjasa të ndodhë në korrik dhe se përfaqësues të palës koreano-veriore do të jenë diplomatë të Ministrisë së Jashtme. Megjithatë, Pompeo e bëri të qartë përmes një postimi në Tëitter se sanksionet e vendosura ndaj vendit aziatik nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të mbeten në fuqi pavarësisht nëse bisedimet ecin përpara.

“Ne mbetemi të gatshëm të angazhohemi në negociata me Korenë e Veriut, por njëkohësisht mbetemi të palëvizshëm në qëndrimin për implementimin e sanksioneve”, shtoi Pompeo. Donald Trump u bë të dielën presidenti i parë amerikan që shkel në Korenë e Veriut për t’u takuar me liderin e saj Kim Jong Un në ish-zonën ushtarake që ndan dy Koretë.

Takimi ishte një tjetër tregues i afrimitetit mes dy liderëve, që shtrënguan ngrohtë duart dhe shprehën shpresën e tyre për paqe. Megjithatë, sipas mediave amerikane, palët nuk janë aspak pranë ngushtimit të hendekut mes dallimeve të tyre, të vëna në dukje në samitin e Vietnamit në muajin shkurt./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!