Takimi Trump – Erdogan, presidenti amerikan: Jam një fans i madh i Erdogan

schedule11:48 - 14 Nëntor, 2019

schedule 11:48 - 14 Nëntor, 2019

Presidenti amerikan Donald Trump priti në Shtëpinë e Bardhë homologun turk Recep Tayyip Erdogan. Duke e falenderuar për luftën ndaj terrorizmit Trump u shpreh se ishte një fans i madh i tij.

“Unë jam një fans i madh i presidentit”, citohet të ketë thënë Trump për Erdoganin.

“Një mik i vjetër”, Donald Trump përshëndet në këtë mënyrë Erdogan, gjatë një prej vizitave më të diskutueshme në Shtëpinë e Bardhë, aq sa ka zemëruar dhe një pjesë të republikanëve që mbështesin Tramp në këto orë të vështira. Orë në të cilat Trump është në qendër të vëmendjes mediatike për shkak të përpjekjes së demokratëve për ta larguar nga Shtëpia e Bardhë.

“Jam një fans i madh i Erdogan dhe e falenderoj presidentin dhe popullin turk për bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit” u shpreh Trump në konferencën për shtyp. Erdogan nga ana e tij u shpreh se i kishte dorëzuar sërish presidentit amerikan letrën që i kishte dërguar një muaj më parë, për t’i vërtetuar se nuk e kishte hedhur në plehra. Në letër Trump paralajmëronte Erdogan të kishte kujdes gjatë ofensivës së mundshme në veri të Sirisë kundër kurdëve. Presidenti turk theksoi se duhet të bëhet dallimi mes kurdëve dhe terroristëve.

Ndërkohë jashtë, në Pensilvani Avenju, manifestuesit protestonin për rrezikun e një genocidi të kurdëve nga ana e Turqisë, pikërisht falë mbështetjes së administratës amerikane. Më pas gjatë drekës, Trump vendosi në tryezë një ofertë që Erdogan e ka të pamundur ta refuzojë. Një marrëveshje që synon forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Marrëveshja tregtare prej 100 miliard dollarësh, pranimi i mundshëm në program i avionëve F-35 dhe premtimi për të mbyllur një sy ndaj shmangies së sanksioneve amerikane ndaj Ankarasë, për të tejkaluar ndalimin për blerjen e sistemit të raketave ruse S-400 nga ana e Turqisë.

Një fakt që do të zemërojë dhe më shumë republikanët në kongresin amerikan, pas votimit të një rezolute kundër ndërhyrjes ushtarake ruse në Siri. Propozimi i Tramp, sipas asaj që publikon Washington Post i është dërguar Erdogan me anë të një letre nga Shtëpia e Bardhë, një javë më parë.

Erdogan nga ana e tij i premtoi Tramp se do të vazhdojë të respektojë armëpushimin në veri të Sirisë, i cili u vendos në 7 tetor pas negociatave të shpejta me delegacionin amerikan të drejtuar nga zv/presidenti amerikan Majk Pens. Turqia gjithashtu, si vend anëtar i NATO-s do të vazhdojë të mbështesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në luftën kundër isis për të parandaluar çdo rikthim të kalifatit në Siri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!