Takimi Prishtinë-Beograd, Vuçiç bisedon me Macron për Kosovën

schedule12:40 - 12 Nëntor, 2019

schedule 12:40 - 12 Nëntor, 2019

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili ndodhet në vizitë zyrtare në Paris, ku është takuar edhe me presidentin francez Macron, ka biseduar me të jo vetëm për nismën e “minishengenit” ballkanik, por edhe për mundësinë e rinisjes së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. RTS raportoi se Vuçiç ka thënë se Bashkimi Evropian po pret krijimin e qeverisë së re në Kosovë për të parë se si do të procedohet më tej me negociatat. Presidenti serb tha se BE-ja është në pritje të formimit të qeverisë në Prishtinë dhe shtoi se ai nuk është i sigurt se do të jetë e lehtë të gjendet një kompromis, por Macron nga ajo që kanë biseduar në Beograd, beson se është e mundur të gjendet një zgjidhje kompromisi.

Vuçiç ka zbuluar edhe “marrëveshjen” që ka arritur me presidentin e Francës për një bisedë telefonike që do të zhvillojnë në muajin dhjetor pas krijimit të qeverisë, për të dëgjuar qëndrimin e Macronit dhe për të planifikuar një takim në muajin janar të 2020-tës, raportoi “Express”. Ky takim pritet të jetë një zëvendësim i Samitit të Parisit, i cili ishte planifikuar të mbahej më 1 korrik të këtij viti, por që dështoi meqenëse Kosova dhe Serbia kishin mbetur të betonuara në qëndrimet e tyre. Kryeministri në largim Ramush Haradinaj nuk e hiqte taksën, ndërkohë Beogradi zyrtar kushtëzonte kthimin në dialog me heqjen e taksës nga Kosova. Bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit janë bllokuar që prej një viti ndërkohë pritet krijimi i qeverisë së re të Kosovës për rinisjen e negociatave. Albin Kurti, i vetmi kandidat për kryeministër ka thënë se do të heqë taksën dhe do të zëvendësojë me reciprocitet të plotë me Serbinë, por ndërkohë mbetet të shihet nëse Beogradi do të kthehet në negociata./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!