Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo, u takua të martën në Nju Jork me Presidentin e Serbisë. Aleksandër Vuçiç. Pompeo u shpreh se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën do të forcojë qëndrueshmërinë dhe përparimin e Serbisë, Ballkanit Perëndimor dhe komunitetit transatlantik.
Sipas zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, Sekretari Pompeo i bëri thirrje Serbisë të përqëndrohet në synimin e saj strategjik, atë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke përshpejtuar reformat e brendshme dhe rifilluar bisedimet me Kosovën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse drejt normalizimit të marrëdhënieve që ka në qendër njohjen e ndërsjellë.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë ka bërë të ditur se në takim e ka lutur sekretarin Pompeo që administrata amerikane të përpiqet që të ndikojë mbi shqiptarët e Kosovës që të heqin tarifat ndaj mallrave serbe, si parakusht për vazhdimin e negociatave.
“Fola dhe për atë se Serbia është e gatshme, pa marrë parasysh axhendën e brendshme politike edhepse kjo nuk i sjell pikë askujt nga pushteti në Serbi dhe në Serbinë Qendrore, në çdo moment – me t’u hequr tarifat, të shkojë në dialog të hapur me shqiptarët. Nuk është i rëndësishëm çmimi politik që duhet të paguhet, ndërsa njerëzit në vendin tonë kanë veshë goxha të ndjeshëm. Nuk duan të dëgjojnë gjëra që kanë lidhje me realitetin- por më shumë atë që ka lidhje me mitet tona”- deklaroi Vuçiç për Zërin e Amerikës pas takimit me Sekretari amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, duke shprehur gatishmërinë serbe për negociata nga të cilat të dyja palët do të dilnin të kënaqura dhe që kjo zgjidhje të ishte e qëndrueshme. Sipas tij, me qëllim të zgjidhjes së problemeve të rajonit lipset një angazhim edhe më i fuqishëm i Amerikës.
“Kam dëshirën dhe shpresën që edhe amerikanët, po ashtu e kuptojnë, se nga marrëdhëniet tona në Ballkanin Perendimor, mes serbëve dhe shqiptarëve ,si dy popuj më të mëdhenj varet e ardhmja e këtij rajoni. Sa më pare që ne të gjejmë një marrëveshje aq më shumë kemi për të siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë njerëzit”– deklaroi Vuçiç.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit ka bërë të ditur se Sekretari Pompeo ka ritheksuar se edhe Serbia edhe Kosova duhet të shmangin provokimet që pengojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe të bashkëpunojnë me njera-tjetrën në frymën e kompromisit dhe qëndrimeve fleksibël të nevojshme për arritjen e një marrëveshjeje për normalizim të marrëdhënieve. /ABC News Albania 24/7