Presidenti ukrainas. Volodymyr Zelensky takohet këtë të diel me homologun e tij amerikan Donald Trump, në Mar a Lago në Florida.
Zelensky ka thënë se shpreson për një diskutim konstruktiv me Trump, në lidhje me garancitë e sigurisë, pasi Ukraina kërkon siguri se Rusia nuk do të rifillojë sërish agresionin.
Një çështje tjetër e rëndësishme për t’u diskutuar janë territoret ukrainase. Në qendër të përpjekjeve të Ukrainës për të anuar bisedimet në favor të saj është një plan me 20 pika, të cilin Zelensky thotë se është rreth 90% gati.
Rusia e ka bërë të qartë vazhdimisht qëndrimin e saj kundër çdo pranie ushtarake europiane në Ukrainë.
Sergei Lavrov, ministri i jashtëm i Rusisë, i paralajmëroi edhe një herë aleatët e Ukrainës kundër vendosjes së një force në vend në rast të një marrëveshjeje paqeje, duke thënë se një kontingjent i tillë do të ishte një objektiv legjitim.
Nga ana tjetër kreu i Kremlinit, Vladimir Putin paralajmëroi se nëse Ukraina nuk bie dakord për një zgjiedhje paqësore të konfliktit, Rusia do i arrijë qëllimet e saj me mjete ushtarake.
Moska e sulmoi sërish Ukrainën edhe në fundjave me qindra dronë dhe raketa. Bombardimet lanë disa të plagosur dhe mijëra familje pa energji elektrike.
Nga ana tjetër, Ushtria e Ukrainës ka thënë se sulmoi rafinerinë e naftës Sizran të Rusisë.
Shtabi i përgjithshëm i Kievit tha se sulmi në rajonin e Samarës shkaktoi një zjarr dhe dëmet ende po vlerësohen./abcnews.al

