Takimi mes Thaçit dhe Vuçiçit, ndërmjetës Merkel dhe Macron

schedule18:15 - 16 Prill, 2019

schedule 18:15 - 16 Prill, 2019

Tashmë është e konfirmuar se presidentët Hashim Thaci dhe Aleksandar Vuçiç do të takohen në Berlin më 29 Prill. Ndryshe nga takimet e mëparshme, këtë herë ndërmjetës do të jenë kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez Emanuel Makron.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një takimi në Bruksel me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka kritikuar Bashkimin Evropian për atë që e ka quajtur vonesë e pakuptimtë në heqjen e vizave për Kosovën, vendin e vetëm në Ballkan që ende nuk ka liberalizim vizash në zonën Schengen. Komisioneri Johannes Hahn, ndërkaq ka thënë pas takimit me të se është me rëndësi vazhdimi i dialogut Serbi-Kosovë.

Ndërkohë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka konfirmuar se më 29 prill në Berlin do të ketë takim me palën kosovare në të cilin pret të bisedohet për heqjen e tarifave për mallrat serbe dhe mundësinë e vazhdimit të bisedimeve të ndërprera vjeshtën e kaluar.

Kur është fjala për Kosovën, përkundër mendimeve të ndara, në qarqet politike-partiake, intelektuale e mediatike serbe, duket se vetëm në fund të edicioneve të lajmeve, aty ku pason parashikimi i motit, televizionet në Serbi, thuajse nuk dallojnë fare, në politikën e tyre redaktuese: Jo për shkak se sinoptikanët janë të një zëri nëse do ketë mot me diell, shi e breshër, apo edhe dëborë, por pse në hartën që ua servirin teleshikuesve – Kosova përditë mbetet Brenda kufijve të Serbisë. Kështu e pasqyron televizioni pro-qeveritar e kështu një televizion tjetër antiqeveritar.

Pavarësisht kësaj, presidenti Aleksandar Vuçiç ka konfirmuar se nga fundi i muajit do të ketë një takim, me ndërmjetësimin e kancelares gjermane Angela Merkel dhe të presidentit francez Emanuel Makron me palën Kosovare: Na presin bisedime të vështira me përfaqësuesit shqiptarë. Nuk do të jenë të lehta as me Merkelin as me Makronin, por kjo nuk ka lidhje me çfarëdo zgjidhjeje të çështjes së Kosovës ose diçka të ngjashme. Do të flitet para së gjithash për taksat dhe nëse do të ketë vazhdim të dialogut. Kurrfarë zgjidhjeje nuk duket në horizont’- ka deklaruar presidenti serb për gazetën ‘Alo’.

Dialogu mes dysheve-kosovare e serbe, presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç, dhe kryeministrave Ramush Haradinaj e Ana Bërnabiç, pritet të zhvillohet më 29 Prill në Berlin, me ndërmjetësim të kancelares gjermane Merkel dhe presidentit francez Macron, në margjinat e takimit të liderëve të Ballkanit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!