Takimi me Trump, Kim niset me tren drejt Vietnamit

schedule20:30 - 24 Shkurt, 2019

schedule 20:30 - 24 Shkurt, 2019

Kim Jong-un është nisur me tren drejt Vietnamit, ku të mërkurën dhe të enjten do të zhvillojë samitin e dytë me presidentin amerikan Donald Trump. Në fokus të takimit do të jetë çështja bërthamore e Koresë së Veriut dhe dy liderët janë të vetëdijshëm se pritshmëritë këtë herë janë më të mëdha.

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un është nisur me tren për në Hanoi të Vietnamit, ku do të takohet me presidentin amerikan Donald Trump. Samiti i dytë i shumëpritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut është i planifikuar për të mërkurën dhe të enjten në kryeqytetin vietnamez. Ai vjen pas raundit të parë të bisedimeve të mbajtura vitin e kaluar në Singapor dhe i gjithë fokusi do të jetë tek progresi për çarmatimin bërthamor të vendit aziatik.

Nisja e Kim Jong-un, e konfirmuar nga media shtetërore koreano-veriore, është tregues se bisedimet me Trump, të vëna disa herë në dyshim, do të zhvillohen. Gjithashtu, samiti do t’i shërbejë liderit korean për të vizituar Vietnamin. Thuhet se ai po udhëton i shoqëruar nga motra e tij Kim Jo Jong dhe një nga bashkëpunëtorët kryesorë, gjeneralin Kim Jong Çol.

Punimet e takimit të dytë pritet të bazohen tek zhvillimet e atij të parë dhe tek adresimi i çështjes së ndjeshme të asgjësimit të arsenalit bërthamor të Penianit, proces që sipas ekspertëve ka regjistruar pak progres. Ndërsa detaje të tjera mbi bisedimet nuk dihen, ajo çfarë dihet është se të dy liderët janë të vetëdijshëm se këtë herë pritshmëritë për rezultate të prekshme janë më të larta.

Më herët, qëndrimi zyrtar i Uashingtonit ishte se Korea e Veriut në mënyrë të njëanshme kishte hequr dorë nga zotimet e saj. Ndërsa vetëm pak ditë më parë, presidenti Trump deklaroi se nuk duhej ngutur me presionin ndaj Koresë së Veriut për çështjen bërthamore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!