Takimi me Napolin dhe sinjali për Interin, Kumbulla e kthen në telenovelë

schedule10:33 - 29 Janar, 2020

schedule 10:33 - 29 Janar, 2020

Napoli dhe Inter po garojnë fort mes tyre për Marash Kumbullën. Nënkampionët e Italisë kanë arritur akordin me Hellas Veronën për 19-vjeçarin shqiptar, ndërsa zikaltrit kanë avantazh faktin që preferohen nga lojtari.

Gianluca Di Marzio raportoi ditën e djeshme se Napoli do të paguajë 20 milion euro për qendërmbrojtësin, teksa Verona mund të përfitojë edhe 4 milion euro të tjera në formë bonusesh. Kumbulla, i cili ka qenë i shoqëruar nga agjentët e tij, është takuar mbrëmjen e kaluar me drejtuesit e Napolit, të cilët i kanë paraqitur projektin e tyre.

Lojtari shqiptar nuk e ka ndarë mendjen dhe ka vendosur të marrë kohë deri në fund të sezonit. Ai ia ka bërë të qartë Napolit faktin që do të zgjedhë ekipin e ri pasi të mbarojë kampionati. Një sinjal i qartë për Interin, që i duhet të bëjë një ofertë bindëse te Verona për shërbimet e tij. /abcnews.al