Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha me anë të një postimi në rrjetet sociale ka reaguar lidhur me takimin e zhvilluar së fundmi me ambasadorët e BE në selinë e PD-së.
Sipas Bashës, ambasadorëve u ka theksuar se integrimi është prioritet I Partisë Demokratike. Më pas ai është ndalur edhe tek zgjedhjet e 25 prillit, duke thënë se në këto zgjedhje nuk ishin demokratike.
“Diskutime të frytshme sot me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian. Integrimi Europian i Shqipërisë ka qenë dhe mbetet prioriteti kryesor i Partisë Demokratike, ndaj do të bëjmë gjithçka që vendi ynë të eci përpara në këtë rrugëtim kaq të rëndësishëm për qytetarët tanë. Për ne BE do të thotë votë e lirë, pavarësi e institucioneve, liri dhe pavarësi e mediave, ndarje e politikës nga krimi dhe luftë ndaj korrupsionit. Pa këto nuk mund të ketë as zhvillim, as integrim dhe as demokraci. 25 prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë dhe për Partinë Demokratike nuk mund të quhet një kapitull i mbyllur. Prandaj ne do të kërkojmë deri në fund hetimin e krimeve zgjedhore, ndëshkimin e fajtorëve dhe kthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend.” shkruan Basha.
Më herët ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca reagoi lidhur me këtë takim ku ka theksuar se në fokus të bisedës së tyre, ka qenë situata aktuale politike pas zgjedhjeve të 25 prillit, integrimi i Shqipërisë në BE, si dhe Reforma në Drejtësi.
“Diskutim i gjatë sot mes ambasadorit të BE në Tiranë dhe kreut të PD, Lulzim Basha. Në funksion të legjislaturës së re, ku opozita do të luajë një rol vendimtar, ne shkëmbyem mendimet mbi situatën aktuale politike pas zgjedhjeve, integrimin në BE, median dhe Reformën në Drejtësi”, shkruan ambasadori Soreca. e.l/abcnew.al/