Edhe pse takimet dypalëshe të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç me zyrtarët evropianë ka kohë që kanë përfunduar, takimi i përbashkët i tyre nuk ka nisur ende, ndërsa ende nuk dihet kur palët do të ulen në tryezën e përbashkët.
Gazetarja Linda Karadaku raporton nga Ohri se bisedimet janë zgjatur nga çfarë ishte planifikuar për shkak të pikës që ka të bëjë me asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Duket se ka një problem tek asociacioni i komunave me shumicë serbe. Duhet rikujtuar se në planin e zbatimit, dhe kjo ka qenë një nga ato që duket se zoti Kurti ka kundërshtuar, që drafti i parë për asociacionin duhet të paraqitet nga Kosova vetëm 15 ditë pas zbatimit të marrëveshjes. Dhe në planin e zbatimit është pika e parë. Serbia ka kërkuar me insistim ose ka asociacion ose nuk merremi vesh me të tjerat“, tha gazetarja.
Ndërkohë në një dalje për mediat nga Ohri, zëdhënësi i BE-së Peter Stano, hermetik për të dhënë informacione nga bisedimet, tha se takimi mund të përfundojë pasdite ose edhe në mbrëmje. Stano tha se shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrel do të dalë para gazetarëve në përfundim të takimit./abcnews.al