Tajvani organizon stërvitje ushtarake, mes kërcënimeve nga Kina

schedule23:24 - 28 Korrik, 2024

schedule 23:24 - 28 Korrik, 2024

Tajvani po kryen stërvitje të mëdha ushtarake me synimin për të rritur gatishmërinë e trupave dhe qytetarëve të tij në rast të ndonjë sulmi kinez. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës nga Taipei, William Yang, zyrtarët e Tajvanit janë munduar që stërvitjet e këtij viti t’i bëjnë sa më realiste.

Pas aktivizimit të sirenave, trafiku ndalon. Qytetarët shkojnë drejt vend-strehimeve nëntokësore.

Synimi i kësaj stërvitjeje është rritja e gatishmërisë në rast të një sulmi me raketa. Disa mblidhëen në vende parkimi nëntokësor dhe qëndrojnë gati, në pritje të sulmit.

Brian Chen po shkonte në palestër kur nisi stërvitja.

“Stërvitje si këto janë të rëndësishme sepse një ditë, nëse ndodh një fatkeqësi serioze, populli tajvanez do të jetë gati. Ndryshe nga stërvitjet në të kaluarën, që ishin më të qeta, vitet e fundit stërvitjet për sulme ajrore janë zgjeruar dhe janë bërë më të rrepta”, thotë kuzhinieri në Taipei.

“Stërvitjet e këtij viti na ndihmojnë të kuptojmë se sa afër jemi me rrezikun që paraqet ushtria kineze. Ne duhet që në çdo kohë të jemi të përgatitur për kërcënimet që paraqesin avionët luftarakë kinezë”, thotë artisti Tim Huang.

Tajvani po kryen edhe një seri manovrash ushtarake “pa skenar”, me synimin për të rritur aftësinë e trupave për t’u kundërpërgjigjur në rast lufte.

Stërvitjet e këtij viti janë më ndryshe, pa shumë dramaticitet dhe më reale. Analistët thonë se ndryshimet synojnë rritjen e besimit tek kapacitetet mbrojtëse.

Por, tajvanezët janë të ndarë sa i përket besimit tek ushtria.

“Tajvani është shumë i bashkuar dhe shumë prej nesh janë rezervistë shumë të përgatitur. Unë jam një prej tyre”, thotë Jackson Wang, banor i Taipeit në pension.

“Me sa kam dëgjuar dhe bazuar tek përvojat e miqve të mi që kanë shërbyer në ushtri, nuk kam shumë besim tek aftësitë luftarake të ushtrisë tajvaneze”, thotë Lisa Liu, banore e Taipeit.

Disa thonë se stërvitjet nuk mjaftojnë dhe se Tajvani duhet të bëjë më shumë për t’u përgatitur për një konflikt të mundshëm.

“Mënyra e vetme për të parandaluar luftën është të përgatitesh për të. Nuk mund të sillemi sikur gjithçka është paqësore”, thotë artisti Tim Huang.

Ai thotë se me kërcënimet në rritje nga Kina, Tajvani duhet t’i bëjë stërvitjet e ardhshme ushtarake edhe më të ngjashme me një luftë të vërtetë.
/VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!