Juventusi arriti akordin me Atalantën për shërbimet e Dejan Kulusevskit dhe 35 milionë eurot do të paguhen në 5 këste. 19-vjeçari i talentuar u la në huazim te Parma për të mbyllur sezonin dhe në verë do të transferohet në Torinon bardhezi.
Rreth kësaj goditje në merkato ka folur Wojciech Szczesny. Në një prononcim për Sky Sport, portieri polak i bardhezinjve ndihet entuziast për këtë blerje dhe nuk i kursen elozhet për suedezin ofensiv, i cili ia ka dalë të shënojë 4 gola dhe dhurojë 7 asiste në fazën e parë me ekipin emilian.
“Dejan është një lojtar i fortë dhe ka shumë talent. Mendoj se Juventusi ka bërë një goditje të madhe. Tani është rikthyer te Parma dhe kjo është e drejtë, sepse do të ketë mundësi për të luajtur dhe për të krijuar eksperiencë. Por, e përsëris, Juventusi ka kryer një goditje të madhe me blerjen e tij“, përfundon Szczesny. /abcnews.al