Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ndodhet në një vizitë zyrtare në Uashington. Përgjatë kësaj vizite ministrja u prit në disa takime nga zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në këto takime u diskutua gjerësisht mbi reformën në Drejtësi, sfidat dhe rritjen e mbështetjes të asistencës teknike të SHBA-së për konsolidimin e institucioneve të reja të drejtësisë dhe hapat që duhen ndjekur për suksesin e kësaj reforme.
Gjonaj garantoi vullnetin e plotë dhe të patundur të qeverisë shqiptare për zbatimin e saj, jo vetëm si prioriteti i agjendes së vendit në kuadër të integrimit në BE, por edhe si prioritet i qëndrueshëm i qeverisë.
Ministrja Gjonaj u shpreh se pas plotësimit të kuadrit ligjor, garantimit infrastrukturor-buxhetor, ngritjen e institucioneve të reja dhe plotësimin e vakancave në sistemin e ri të drejtësisë janë dhënë rezultatet e para të kësaj reforme, dhe tashmë Shqipëria ndodhet në një moment kyç të konsolidimit të saj.
Vëmendje e veçantë në takimet e zhvilluara iu dedikua edhe përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së shtetit shqiptar në Sesionin e Posaçëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për luftën kundër korrupsionit, ku Ministrja Gjonaj paraqiti ecurinë e reformave edhe si Koordinatore Kombëtare Kundër Korrupsionit.
Zyrtarët amerikanë vunë theksin mbi rëndësinë dhe ecurinë e reformave të ndërmarra nga Shqipëria në luftën ndaj korrupsionit, si dhe shprehën vullnetin e tyre për të rritur bashkëpunimin në këtë sfidë të përbashkët pasi antikorrupsioni është tashmë edhe një nga prioritetet e SHBA-së në vijim të deklaratës së Presidentit Joe Bieden./ Abcnews.al