Sytë dhe veshët nga Italia!

schedule10:30 - 15 Korrik, 2022

schedule 10:30 - 15 Korrik, 2022

Nga Edi Oga

Lufta në Ukrainë vazhdon si më parë, ndoshta edhe më e ashpër, por mediatikisht ka ‘dalë nga moda’! Sidoqoftë, megjithëse jetojmë (ende) në paqe, efektet e saj i ndjejmë çdo ditë. Haraçet e kësaj lufte për ripozicionim global gjeo-politik por edhe ekonomiko-financiar, po i paguajnë qytetarët e gjithë Botës, nëpërmjet rritjes së çmimeve të komoditeteve bazë të jetës.

Edhe shtetet e pasura, sidomos ato evropiane, ato që kanë pasur lidhje të forta ekonomike me Rusinë, po përpiqen të menaxhojnë një krizë akoma më të fortë se ajo e Covid-19. Për fatin e madh të Italisë dhe Evropës, në timonin e qeverisë ndodhet Mario Draghi, i cili i sulmuar politikisht nga forca e dështuar populiste ‘pesë yjet’, me kryetar Giuseppe Conte, humbi mbështetjen numerike dhe paraqiti dorëheqjen.

Për fat, Italia ka një superpresident si Matarella i cili nuk e pranoi këtë dorëheqje. Sidoqoftë, Italia ndodhet në një situatë politike kritike. Nëse bie mbështetja për qeveri të kryesuara nga Draghi, në kushtet kur Gjermania dhe Franca kanë nga një thes me problemet e tyre, pasojat mund të jenë dramatike për euron dhe eurozonën. Si rrjedhojë edhe për ne këtu, që varemi kryekëput nga çfarë ndodh rreth nesh.

Debatet me sharje në parlamentin tonë janë thjesht folklor për eglendisje. Këtu tek ne i ka marrë ‘m*ti shalët’ me kohë; nëse Evropa futet në krizë të thellë, duhet të përgatitemi për ditë shumë më të vështira.

Sot, ‘butoni nevralgjik’ i Evropës, është Italia. Le të shpresojmë për më të mirën! /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!