Me ndeshjen e parë që afrohet, kombëtarja e Shqipërisë shton dozat e ngarkesës në përgatitjet për sfidat e qershorit në eliminatoret e Euro 2024 kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe.
Edhe trajneri Silvinjo nis injektimin e planeve të tij taktike për të arritur objektivin e vendosur për këto përballje ku kërkohen gjashtë pikë të plota. Gjithsesi, tekniku brazilian nuk do të zbulojë asgjë mbi strategjitë e tij dhe për herë të parë që nga grumbullimi ka mbyllur dyert për kamerat në seancën stërvitore të së premtes.
Me skuadrën thuajse të kompletuar, pas mbërritjes të lojtarëve të tjerë, Silvinjo është gati të testojë idetë e tij me futbollistët që pritet të zbresin në fushë nga minuta e parë në përballjen e 17 qershorit në “Air Albania”.
Me kombëtaren e Shqipërisë u bashkuan së fundmi Gjimshiti, Ismajli, Bare, Bajrami dhe Aliji, ndërsa pritet të vijnë pas imenjimeve me ekipet e tyre të klubeve edhe Hysaj, Seferi dhe Asani.
Ashtu siç ishte njoftuar që në fillim, lojtari i fundit që do të bashkohet me skuadrën kuqezi është Kristjan Asllani, i impenjuar me Interin në finalen e 10 qershorit për Champions League./h.ll/abcnews.al