Askush nuk i afrohet për atë që ka bërë. Trajnerin e kombëtares shqiptare, Silvinjon, mund ta kritikosh, mund të thuash se erdhi i papjekur në stolin kuqezi, se dikur nuk lexonte mirë ndeshjen, se nuk ka guxim të ndryshojë formacionin apo të bëjë zëvendësimet kur duhet, por fakti është se bilancin e tij nuk e ka asnjë teknik tjetër i mëparshëm.
As edhe “madhëria e tij”, Xhani De Biazi.
Edhe pse pësoi tri humbje radhazi që nga Anglia e deri tek Ukraina, e sidomos provoi shijen e hidhur të disfatës në gjysmëfinalen e plej ofit për të shkuar në Kupën e Botës, sërish ajo që ka arritur braziliani mbetet e veçantë.
Në 34 ndeshje në stolin e përfaqësueses, Silvinjo e ka peshoren në krahun pozitiv, diçka që nuk e ka bërë askush nga paraardhësit.
Me 15 fitore, 7 barazime e 12 humbje mbetet i paprekshëm, po ashtu si edhe me golaverazhin mjaft pozitiv, 40-30.
Shqipëria e futbollit, kjo kombëtare e vogël gjatë gjithë jetës së saj, sot mund të mburret se të paktën është në nivelin mesatar europian dhe botëror.
Tashmë, janë dy faza finale të Europianit, e para me De Biazin dhe e dyta me Silvinjon, dhe pjesëmarrja për herë të parë në plej ofin e Kupës së Botës.
Kontrata e trajnerit përfundon në qershor, dhe fakti që nuk e kanë rinovuar më gjatë tregon se diçka luhet pas perdeve.
Kush dëshiron të jetë I lirë për të zgjedhur të ardhmen?
Braziliani apo presidenti I Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka?
Duke e njohur Dukën, më shumë të shkon mendja tek Silvinjo.
Ndoshta rrugët edhe mund të ndahen, por përtej kritikave dhe pakënaqësive që nuk shmangen kurrë, do të jetë një vendim për të cilin duhet të mendohen mirë përpara sesa ta marrin.


