Sylvinho: Nuk mund të gabojmë/ Trajneri i Kombëtares: Kundër Andorrës vlen vetëm fitorja

schedule19:36 - 23 Mars, 2025

schedule 19:36 - 23 Mars, 2025

Kundër Andorrës vlen vetëm fitorja. Cdo rezultat tjetër do të ishte fatal për shpresat e kombëtares së Shqipërisë në fushatën e saj eliminatore për “Botërorit 2026”.

Këtë e di shumë mirë Silvinjo, që nuk harroi ta nënvizojë në konferencën zyrtare për mediat.

“Duhet të rinisemi. Kemi një rrugë ku nuk duhet e nuk mund të gabojmë, një ndeshje shumë e vështirë. I kam parë ndaj Letonisë, një goditje standarte ndërroi ndeshjen. Ne duhet të gjejmë hapësira që nuk janë, nuk është e thjeshtë, të gjejmë hapësirë për të luajtur, shënuar, të gjejmë sa më shumë”.

Ndryshe nga ndeshja e parë në “Ëembley”, këtë herë i takon Shqipërisë që të bëjë Anglinë. Pra të kërkojë golin dhe fitoren, përballë një rivali që specialitetin e tij ka mbrojtjen.

“Zgjedhjet janë për të marrë më të mirën. Në “Uembli” mbroheshim poshtë me rinisje, Uzuni në fazën mbrojtëse na ka ndihmuar shumë, ka shpenzuar energji, kilometra. Tani duhet përdorur diçka ndryshe. Tani mund të mendojmë për ndryshime, se është strategji loje e ndryshme. Anglia është diçka dhe kjo ndeshje në shtëpi është diçka tjetër”.

Si gjithmonë, Silvinjo nuk zbuloi formacionin, por la të hapur mundësinë e ndryshimeve në emra dhe taktikë, nga ndeshja kundër Anglisë.

“Do t’i vlerësojmë të gjithë lojtarët përpara ndeshjes. Në “Uembli” të gjithë shpenzuan shumë energji, por mesa kam parë janë në gjendje, kanë rikuperuar mirë. Sa i përket sulmit, duhet të shohim, ka mundësi për çdo gjë. Për të bërë ndryshime, 2-3 sulmues. Kemi 3 emra, të shohim. Do të diskutojmë me lojtarët, doktorin, e pastaj vendosim. Por është një mundësi e madhe të ndryshojmë.

Shqipëria zhvilloi seancën e fundit stërvitore në “Arenën Kombëtare”, ku morën pjesë të gjithë futbollistët. Edhe Laci e Strakosha që dolën me lëndime nga ndeshja kundër Anglisë duket se janë rikuperuar.

/ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!