Futbollistët të talentuar ka patur shumë pak te Milani në vitet e fundit. Suso ishte njëri ndër to, por spanjolli ofensiv ishte hija e vetvetës këtë sezon. Në janar erdhi huazimi te Sevilla, me 26-vjeçarin që u rikthye në shtëpi pas 6 vitesh.
Kuqezinjtë i ka akoma në zemër, rikthimin në Milanello nuk e përjashton, teksa zbulon edhe momentin më të bukur që ka shijuar te skuadra e “djallit”. Suso flet edhe rreth merkatos për Sky Sport, duke zbuluar se ishte shumë pranë transferimit tek Interi i Luciano Spalletit.
“E kam thënë gjithmonë që Milano është qyteti ku jam rritur dhe ku jam bërë një futbollist i madh. Jam dhe do të mbetem gjithmonë i lidhur me Milanin. Tifozët janë treguar fenomenalë me mua, edhe në momentet e mia jo të mira.
Rikthimi? Asnjëherë nuk dihet se çfarë mund të ndodhë në futboll. Jam shumë i lumtur që jam te Sevilla, mendoj se lojtarët e mëdhenj duhet të luajnë në Champions. Me Milanin nuk ia dolëm të luanim në atë kompeticion, tani dua të luaj me Sevillan aty.
Momenti më emocionues te Milani ka qenë kur shënova dy gola në derbin ndaj Interit. Gjithsesi, nuk u ktheva në këmbë në shtëpi, ishte shumë larg nga stadiumi. Është e vërtetë që kam patur një ofertë nga Interi.
Spalleti më donte në skuadër, kishte biseduar me mua dhe isha afër kalimit te zikaltrit. Ata kishin një skuadër që luante një futboll të bukur dhe përshtatej me karakteristikat e mia. Më vinte keq të ndërroja skuadër, isha i lidhur me Milanin dhe s’e kisha të lehtë të shkoja tek Interi”, përfundon Suso. /abcnews.al