Pas pak do të nisë ndeshja e fundit e ditës së sotme, që konsiston me javën e nëntë të kategorisë Superiore. Partizani luan në Ballsh ndaj vendasve të Bylisit.
Pak para se të nisë sfida është njoftuar se Partizani nuk do të drejtohet nga trajneri Ilir Daja në këtë ndeshje. Nga ajo që raportohet, mësohet se ai ka shfaqur probleme shëndetësore dhe e ka pasur të pamundur të jetë i pranishëm sonte.
Në vendin e tij do të jetë zëvendës trajneri Reinaldo Kalari. Partizani me një fitore të sotme, do të ngjitej në vendin e tretë të renditjes së përgjithshme. Partizani jep më shumë detaje në njoftimin në rrjetet sociale.
NJOFTIMI – “FK Partizani njofton se traineri Ilir Daja do të mungojë sot në takimin Partizani – Bylis i vlefshëm për javën e 9 të kategorisë superiore dhe ekipi do të drejtohet nga ndihmësit e tij Pollozhani, Kalari dhe Bozhiqi. Traineri Daja ka patur disa shqetësime gastrointestinale të shoqëruara me një gjendje të lehtë virale.
Duke ju përmbajtur dhe respektuar protokollet e sigurisë shëndetësore në këtë situatë të pandemisë së covid 19 Daja është vetëizoluar në shtëpi. Klubi i uron shërim dhe rikthim sa më të shpejtë në drejtimin e skuadrës trainerit Ilir Daja”. /abcnews.al