Superliga ndalet në barazim/ Nuk pati fitues në tri ndeshje të kësaj jave në elitë

schedule12:16 - 17 Mars, 2025

schedule 12:16 - 17 Mars, 2025

Jo vetëm që harruan sesi fitohet, por edhe sesi shënohet. Vetëm dy gola u realizuan në tri ndeshjet e fundit të javës së 30-të të Superligës shqiptare, duke konfirmuar problemin e përhershëm të kampionatit në vend, realizimin në portë.

Këtë sezon, mesatarja është më pak se 2.3 rrjeta për ndeshje! Të dy golat u shënuan në përballjen mes Elbasanit dhe Dinamos që përfundoi 1-1.

Miqtë nga kryeqyteti shënuan të parët në “Elbasan Arenë”, e cila është edhe shtëpia e tyre e adoptuar meqë asnjë stadium nuk është I gatshëm në Tiranë.

Autor i golit Karamba Gasama në 38’, por vendasit e trajnerit Gvozdenoviç barazuan në 71’ kur goditi saktë Emiliano Musta.

Barazimi e nxjerr në vend të dytë ekipin e trajnerit Ilir Daja, ndërsa Elbasani jo vetëm që mbetet larg katërshes për titull, por duhet të ruhet që të mos përfshihet në garën për mbijetesë.

E mërzitshme ndeshja në “Arenën e Demave”, mes Partizanit e Teutës.

Nuk u kuptua mirë, nëse ishin vetë skuadrat që vendosën të mos lodheshin aq shumë, apo ishte arbitri Ferataj që pëlqeu më mirë që sfida të përfundonte barazim, e ai të mos kishte telashe.

Gjyqtari vërshëlleu shumë, pati tepër pak lojë efektive, e për pasojë nuk mund të bëhej fjalë për bukuri në barazimin 0-0.

Po pa gola ishte edhe barazimi në Ballsh mes Bylisit e Laçit, në një duel direkt për mbijetesë.

VAR-i I hoqi një penallti kurbinasve në pjesën e parë, ndërsa vendasit ishin më kërkues.

Gjithsesi, shqetësimi më I madh ishte për shëndetin e trajnerit të Laçit, Moriero, që u dërgua në spital, por klubi njofton se ai është mirë.

Pas 30 javëve kampionat, pesë ekipet e poshtme ndahen vetëm nga tri pikë, me Laçin që ka 33, dhe Teutën 30, ndërsa të rrezikuar janë edhe Bylis, Tirana e Skënderbeu.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!