Superliga luan javën e fundit me gjysmën e ekipeve pa licencim ose të dënuar

schedule14:10 - 29 Maj, 2019

schedule 14:10 - 29 Maj, 2019

Konkurrenca në ndeshjet e fundit të Superligës pritet të dëmtohet nga problemet e klubeve me licencimin dhe dënimet e ndryshme. Kjo mund të ndikojë negativisht në luftën për Europën dhe mbijetesën.

Do të luhet edhe një javë, por duket se gjithçka ka përfunduar. Gara në Superligë është e cënuar për Europën dhe për mbijetesën, pasi shumë nga klubet nuk e kanë marrë licencimin apo janë të dënuar, ndaj teorikisht nuk kanë interes për të konkurruar sportivisht në fushë.

Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit bëjnë me dijë se plot 4 klube, Tirana, Flamurtari, Luftëtari e Kastrioti nuk e kanë marrë licencimin, pra nuk mund të konsiderohen për pjesëmarrje në kupat e Europës.

Tre të parët kanë probleme me borxhet, ndërsa krutanët nuk plotësojnë kriteret e infrastrukturës.

Për më tepër, Skënderbeu me shumë gjasë mbetet jashtë Ligës së Europës, sepse vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Zvicër pritet të merret në 21 qershor, ndërkohë që shorti për turin e parë dhe të dytë do të hidhte në datat 18 dhe 19 po qershor.

Këtyre u duhet shtuar edhe Kamza e përjashtuar që në muajin shkurt pas dhunës ndaj arbitrit në ndeshjen ndaj Laçit.

Kjo do të thotë se vetëm 4 klube në Superligë janë të mundshëm si kandidatë për Europën, pasi e kanë marrë licencimin, Partizani që është në Champions, si dhe Kukës, Teuta e Laçi që synojnë Ligën e Europës.

Kjo situatë me shumë gjasë do të ndikojë në ndeshjet e javës së fundit, që luhen këtë të enjte. Tirana synon të paktën një pikë për mbijetesën, dhe përballë do të ketë Flamurtarin pa motiv.

Kukësi ndeshet me Kastriotin, në një ndeshje ku mund të ndikojë rezultati i Tiranës, ndërsa ndeshja e vetme e vërtetë mund të quhet ajo në Durrës, mes Teutës dhe Laçit. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!