Ideja e Superligës së Europës nga klube spanjolle, angleze dhe italiane ka ngjallur një reagim të madh. UEFA doli me një komunikatë të qartë dhe u bëri me dije klubeve iniciatorë se do të ketë sanksione të forta për to.
Gjithashtu ka pasur reagime edhe nga personalitet të shumta të futbollit. Në Francë e cilësojnë si një tentativë oligarkësh që gjithë këtë e bëjnë për t’i shërbyer interesave të tyre. Klubet gjermane nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e planit, ndërkohë që edhe qeveria britanike është qartazi kundër.
Sekretari i Kulturës, Medias dhe Sportit, Oliver Dowden, ka thënë sot: “Mbështetësit e futbollit janë ata që i japin rrahjet e zemrës sportit tonë kombëtar dhe çdo vendim i marrë duhet të ketë mbështetjen e tyre. Së bashku me shumë tifozë, ne jemi të shqetësuar se ky plan do të krijojë një ‘dyqan’ të mbyllur në futbollin tonë.
Qëndrueshmëria, integriteti dhe konkurrenca e ndershme janë absolutisht thelbësore dhe gjithçka që minon këto është thellësisht shqetësuese dhe e dëmshme për futbollin. Ne kemi një piramidë futbolli, ku fondet e Premier League rrjedhin në liga dhe komunitete lokale. Do të zhgënjehesha shumë nëse shoh veprime që e shkatërrojnë këtë”.