Në vigjilje të ndeshjes finale të Superkupës së Shqipërisë, mes Partizanit dhe Kukësit, trajneri i ri I skuadrës së Kukësit Shpëtim Duro mendon se skuadra është gati të përballë kampionët. Sipas Duros, disa ardhje të fundit në skuadër duan kohën e tyre që të harmonizohen me ekipin. Trajneri nuk mendon penalltitë për finalen e nesërme, por do të tentojë të bllokojë Partizanin, me gjithë ndryshimet e bëra nga Lerda.
E diela e 18 Gushtit hap zyrtarisht edhe sezonin e ri të futbollit. Partizani përballë Kukësit, në sfidën për trofeun e Superkupës. Duro, trajneri I ri i veriorëve në provën e tij të parë përballë ish-skuadrës që e njeh dhe e ka ndjekur jo pak, Partizanit, që pas Gegës kampion ka marrë filtër Italian. Për trajnerin e Kukësit, Shpëtim Duro penalltitë nuk janë menduar pasi kërkohet të arrihet suksesi në 90 minuta, edhe pse kjo nuk varet nga Shpëtimi, pavarësisht dëshirës. Për ish-trajnerin e Partizanit, kjo skuadër ka më pak avancë në përgatitje, pasi luajti edhe në Evropë.
“Partizani, duke iu referuar ndeshjeve të fundit në Evropë, është më para. Kukësi ka ndryshime, sepse janë larguar tre lojtarë bazë, si Çuçuli, Rrumbullaku dhe Rama. Janë linja e krahut të majtë. Kemi punuar gjithë javën, për t’i zëvendësuar, dhe për ta përgatitur këtë takim. Ne jemi përgatitur, Partizani atë fizionomi ka. Më shumë ka qenë ekip racional, por me rendiment. Edhe ndaj Sherifit, ajo skuadër ka qenë. Ka ndryshuar pak vendosjen për sa i përket skemës. Ne kemi punuar, që të përgjigjemi me atë skemë që ka Partizani”.
E ndërkaq, në aspektin përgatitor vetë trajneri do të donte që kampionati të shtyhej me dy javë, kjo për të patur më shumë hapësirë për të punuar.
Superkupa vendoset nesër por shumë shpejt do të nisë kampionati. Tekniku që ka objektivin të rishpallë Kukësin kampion, mendon që asgjë nuk është e pamundur, pasi me disa lëvizje të vogla, ekipi do të jetë tërësisht gati:
“Ndonjëherë ato skuadra që kanë pretendime, kanë përgjegjësi më të mëdha se ato që formohen në fund. E mbani mend Danimarkën, që u shpall kampione Evrope? Pasi erdhën nga plazhi. Futbolli është i çuditshëm, duhet përqendrim. Këtë vit, ekipet kanë qenë të kujdesshme, dhe e shoh që do jetë një kampionat i niveli të mirë. Vjet, nuk ka pasur rivalitet. Ka qenë vetëm Partizani dhe Kukësi. Të tjerat kanë qenë në disnivel”.
Partizani-Kukësi në finalen e Superkupës do të çelë edhe sezonin e këtij viti në futbollin shqiptar, për ti lënë më pas vendin startit të kampionatit që u vendos të niste me të njëjtat skuadra, edhe pse gjërat pritet të rregullohen rrugës./ABC News Albania 24/7