Juventusi fitoi 2-0 ndaj Napolit të mërkurën në mbrëmje, duke ia dalë të dërgojë Superkupën e Italisë për herë të nëntë në Torino. Trofeu i parë sezonal për bardhezinjtë dhe i pari si trajner për Andrea Pirlon.
Portieri i kampionëve të Italisë, Wojciech Szczesny ka folur rreth suksesit të fundit për Sky Sport, aty ku lëshon një mesazh për rivalët. Juventusi ka fituar 9 tituj radhazi dhe do të bëjë të pamundurën për të triumfuar edhe sivjet.
“Ndaj Napolit shijuam një mbrëmje fantastike, jam i kënaqur që dhashë kontributin tim në fitimin e Superkupës. Pas ndeshjes më dërguan menjëherë në një dhomë për të bërë testin anti-doping.
Nuk pata mundësi të festoj me shokët, më erdhi disi keq, por duhet të zbatoja rregullat. Chiellini më komplimentoi pas fitores, ai zhvilloi një ndeshje të madhe dhe ka meritat e veta që nuk pësuam gol. E falënderova edhe unë.
Jam shumë i lumtur që jam pjesë e kësaj skuadre të fortë, ndaj Napolit treguam se jemi shumë të uritur për të fituar trofe. Humbja me Interin ishte vetëm një episod, ishte thjesht një mbrëmje e keqe.
U bënë 10 vite radhazi që Juventusi fiton trofe, vazhdojmë të jemi shumë të uritur dhe nuk kemi ndërmend të ndalemi me kaq“, deklaron portieri polak i bardhezinjve. /abcnews.al