Superkupa e Europës, pandemia dhe Interi i tij: Steven Zhang i thotë të gjitha

schedule13:58 - 29 Tetor, 2020

schedule 13:58 - 29 Tetor, 2020

Steven Zhang, presidenti i Inter, ka marrë pjesë në “SportLab”, një konferencë e organizuar në 75 vjetorin e Corriere dello Sport dhe Tuttosport. Gjatë saj ai ka folur për shumë çështje dhe theksin e ka vënë te ndryshimi total i mënyrës se si mund të arrihet te konsumatori, në mënyrë që të ardhurat për klubet të rriten në këtë periudhë të vështirë pandemie.

“Pandemia na detyron të bëjmë ndryshime të mëdha. Është e qartë se të ardhurat janë ulur, por duke menduar për vitet e ardhshme mendoj se teknologjia dhe inovacioni janë zgjidhja. Rrjetet sociale mund të na ndihmojmë të arrijmë gjithnjë e më shumë konsumatorë dhe fansa. Duhet të përfshijmë edhe argëtime të reja që lidhen me sportet, siç janë video-lojërat.

Futbolli duhet t’i tejkalojë 90 minutat klasike. Po kërkojmë t’i angazhojmë edhe më tej shikuesit tanë, me produktet e reja që mund të ofrojmë. TV nuk themi që nuk është i rëndësishëm, por do të donim të arrinim në gjithë botën edhe me platforma të tjera që të rrisim praninë tonë në Amerikë dhe Azi”, thotë fillimisht Zhang.

LEXO EDHE: 18 skuadra dhe formulë si NBA, “AS” zbulon detajet e European Super League

“Superliga e Europës? Jam gjithmonë pro idesë së zhvillimit si një sistem futbolli. Mendoj se duhet t’i bëjmë produktet tona më ndërkombëtare, të përshtatshme për njerëz me kultura të ndryshme dhe për brezat e rinj. Oraret e ndeshjeve të Serie A shpesh nuk janë të përshtatshme për tifozët, që duhet të zgjohen në 3 ose 6 të mëngjesit. Kështu që ne duhet të mendojmë si ta formulojmë ofertën për konsumatorët.

Për të zgjidhur problemin e krijuar nga Covid-19 duhet të analizojmë çdo aspekt. Duhet të mendojmë për 4-5 vitet e ardhshme dhe të fitojmë një audiencë, jo vetëm përmes TV-së, por edhe përmes telefonave apo pajisjeve të tjera. Kemi nevojë të rritim numrin e konsumatorëve, pavarësisht nga kultura apo rajoni i origjinës. Duhet ta përdorim teknologjinë me mençuri”.

Në fund, në lidhje me Interin aktual, Zhang ka shtuar: “Jam krenar për faktin që kemi qenë gjithmonë një nivel të kartë. Krijuam një grup, nga stafi, te lojtarët dhe drejtuesit, të cilët besuan në projektin tonë. Objektivi ynë është të përhapim energji pozitive te njerëzit. Që të kemi sukses duhet të jemi në gjendje të luftojmë dhe të fitojmë në fushën e blertë. Po punojmë të fitojmë trofe dhe të rritemi në aspektin financiar”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!