Do të luhet këtë fundjavë java e nëntë e kampionatit “Abissnet Superiore” për vajza. Të shtunën më datë 16 dhjetor do të zhvillohen dy ndeshje, duke nisur me takimin Teuta – Tirana, në ora 10:30.
Vajzat bardheblu kanë zhvilluar një kampionat shumë të mirë dhe padyshim janë favorite në këtë sfidë, ndërsa bregdetaret do të kërkojnë të hedhin pas ecurinë negative prej pesë humbjesh radhazi. Në të njëjtën ditë do të luhet edhe Laçi – Gramshi, një sfidë e balancuar, me të dyja skuadrat që do të kërkojnë fitoren për t’u ngjitur sa më lart në renditje. Ndeshja Laçi – Gramshi do të startojë në orën 14:00.
Të dielën do të luhen tre sfida, duke nisur me takimin Kinostudio – Vllaznia. Një ndeshje e lehtë në letër për kampionet në fuqi të vendit, teksa nga ana tjetër ekipi i Kinostudios do të tentojë surprizën ndaj Vllaznisë. Takimi është planifikuar të nisë në ora 12:00. Lushnja do të kërkojë të marrë pikët e para të sezonit, pasi do të presë në shtëpi vajzat e Skënderbeut, që regjistruan fitoren e parë javën e kaluar ndaj Teutës. Takimi Lushnja – Skënderbeu do të startojë në orën 13:00.
Java e nëntë e “Abissnet Superiore” për vajza do të ulë siparin me takimin Apolonia – Partizani. Kjo ndeshje mjaft e rëndësishme do të luhet në Fier dhe do të jetë një duel interesant për vendin e tretë të renditjes. Vajzat e Apolonisë do të kërkojnë kthesën në këtë sfidë pas disfatës me Vllaznin, ndërsa nga ana tjetër vajzat e kuqe do të synojnë të vijojnë me ecurinë e rezultateve pozitive pasi numërojnë katër fitore radhazi.
Kalnedari i javë së 9-të së kampionatit “Abissnet Superiore” për vajza:
16.12.2023 Teuta – Tirana, ora 10:30
16.12.2023 Laçi – Gramshi, ora 14:00
17.12.2023 Kinostudio-Vllaznia, ora 12:00
17.12.2023 Lushnja-Skënderbeu, ora 13:00
17.12.2023 Apolonia-Partizani, ora 14:00 /FSHS