Dominimi institucional dhe reforma zgjedhore që favorizon partinë në pushtet mund t’i kushtojë shtrenjtë qeverisë së Viktor Orban. Këshilli Europian ka bërë thirrje për mbajtjen e një seance të posaçme për Hungarinë, gjykimi i të cilës ka nisur rreth një vit më parë dhe që mund të mbyllet me sanksione.
Një vit më parë ligjvënësit e Parlamentit Europian i dhanë jetë atij që njihet si neni numër 7. Bëhet fjalë për mjetin më të fuqishëm me të cilin BE-ja mund të ndërhyjë kundër vendeve anëtare që shkelin vlerat thelbësore europiane, viktimë e të cilit ka gjasa të bjerë Hungaria. Këtë të hënë, Këshilli Europian hodhi hapin e parë dhe bëri thirrje për mbajtjen e një seance të posaçme lidhur me këtë vend.
“Shpresoj se do të përshpejtojmë procesin, sepse boll dëme i janë bërë demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore”, deklaroi eurodeputetja holandeze Sofi Int Veld.
Sipas saj, është me rëndësi që BE të reagojë me shpejtësi dhe efikasitet kur vlerat europiane shkelen. Një raport i euro-ligjvënësve kritikon ndryshimet e bëra në sistemin elektoral në Hungari, dominimin që partia në pushtet u bën institucioneve, korrupsionin sistematik dhe shkeljen e lirisë së medias. Nëse Budapesti zyrtar vijon me këtë linjë, atëherë mund t’i kushtojë shtrenjtë.
“Është një rregullore e re që do të hyjë në fuqi duke filluar nga viti 2021, që thotë se sundimi i ligjit dhe demokracia janë një parakusht për fondet europiane. Dhe nëse Viktor Orban nuk ndryshon politikat e tij do të thotë se fondet për Hungarinë do të pezullohen”, sqaroi deputetja hungareze Klara Dobrev.
Ndërsa ministrja hungareze e Drejtësisë, Xhudit Varga e cilësoi procesin një gjueti shtrigash.
“Do ta mbroj Hungarinë dhe pres që vendet anëtare t’u qëndrojnë ligjeve bazë kur bëhet fjalë për vendin tonë. Pres që ata t’i shmangin standardet e dyfishta dhe të provojnë se kjo procedurë nuk është një gjueti shtrigash”, deklaroi Varga./ABC News Albania 24/7