Sulmuesi nga Kosova dëshiron të luajë për “Kuqezinjtë”, Hoxha: Me Shqipërinë në Euro 2024

schedule16:16 - 11 Janar, 2024

schedule 16:16 - 11 Janar, 2024

Mbërriti, siç i thonë, në “majë të gishtave”. Arbër Hoxha realizoi atë që e cilësoi si ëndrrën e tij, ndërsa objektivat i ka ambicioze. Kjo, jo vetëm te Dinamo Zagreb, kampionë të Kroacisë, por edhe në futbollin e kombëtareve.

Në një intervistë për median kroate, “Germanijak”, sulmuesi 25-vjeçar nga Kosova e shprehu hapur dëshirën për të luajtur me Shqipërinë.

“Kosova nuk më ftoi asnjëherë”,- deklaroi ai,- “Shqipëria më thirri dhe më dha pasaportën. Shpresoj të shkoj në Europian dhe të luaj ndaj Kroacisë”.

Dihej që më parë se trajneri Silvinho e donte Arbër Hoxhën “kuqezi”. Futbollisti shënoi 4 gola e shërbeu 3 asistë në Ligën e Parë të Kroacisë në 18 ndeshje deri në mesin e sezonit, dhe kjo tërhoqi vëmendjen e “gjigantëve” të Dinamo.

Kampionët paguan 1.8 milionë euro për kartonin e tij, ndërsa i ofruan kontratë 3-vjeçare me të drejtë rinovimi edhe një sezon tjetër.

Hoxha nuk dëshiron të bëjë premtime për atë që do të arrijë me fanellën “e kaltër”, por padyshim ka si objektiv titullin kampion, edhe pse në vend të parë është Hajduk Split.  Padyshim, dëshiron të jetë protagonist në Gjermani, në Kampionatin Europian, me kombëtaren shqiptare. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!